Tirana la pas krahëve humbjen në Durrës dhe u rikthye te fitorja. Bardheblutë triumfuan 3-0 kundër Vllaznisë dhe tani presin një dhuratë nga Laçi, që pret nesër në shtëpi Kukësin. Trajneri i bardhebluve, Emmanuel Egbo u shfaq me këmbë në tokë si gjithmonë në prononcimin e dhënë për Supersport, aty ku preku tema të ndryshme.
FITORJA – “Mbas ndeshjes me Teutën thashë që ishte vetëm një ndeshje që nuk duhet ta kishim humbur, por ndodhi, do ndodhte një ditë. Thashë që duhet të qëndronim me këmbë në tokë dhe ashtu ndodhi. Nuk dua t’ia di për rivalët, le të mendojmë vetëm për ndeshjet tona, çdo ndeshje e kemi si finale. Rivalët janë të karikuar kur luajnë kundër Tiranës. Ngo’o? Nuk ishte surprizë, e di pse e shënoi golin sot. I kam thënë të jetë i qetë”.
KRITIKAT – “Unë e di çfarë jam, s’kam kohë për mendimet e të tjerëve. Është e rëndësishme se çfarë mendon klubi dhe lojtarët me të cilët punoj. Presidenti ka thënë që kam marrë licencë që prej vitit 2013. Ndoshta duhet të marr leje dhe licencë tjetër nga dikush që të thonë që Egbo është trajner. Nuk dua të krijoj polemika, është histori e mbyllur, unë vazhdoj punën time”.
JORGJI – “Nuk jam ankuar asnjëherë për arbitrat, nuk jam tip që merret me arbitrimin. E njof prej shumë kohësh, është arbitër i mirë, ka edhe të tjerë që janë arbitra shumë të mirë”.
PRESIDENTI – “Gjithmonë kam thënë që nuk dua të flas për kontratë. Bisedime kemi bërë, por jemi fokusuar te kampionati. Nuk është asgjë kontrata për mua, por puna që duhet bërë dhe vlerësimi. Kam fokus të mbaroj punën, të fitojmë titullin, më pas do vijnë gjërat e tjera. Që prej momentit që kam marrë drejtimin e Tiranës, raportet me presidentin kanë qenë të mira dhe të qeta”
ROTACIONI – “Unë e di që me Besëlidhjen kishim mundësi për lojtarë të rinj. Po të luanim jashtë fushe, mund t’i fusnim të rinjtë. Ishtë ndeshja e parë dhe duhej të siguronim me kualifikimin. Ne e dimë ku duhet të përqëndrohemi. Nuk duhet të bësh zëvendësime kur luan mirë. Askush nuk e di më mirë se unë”. /abcnews.al