Fitorja me fat, kalimi te Partizani dhe Skënderbeu: Rrëfehet Ilir Daja

schedule23:30 - 11 Korrik, 2020

schedule 23:30 - 11 Korrik, 2020

Skënderbeu fitoi 2-1 përballë Vllaznisë në Korçë, triumf të cilin Ilir Daja e cilëson me fat. Trajneri i ekipit korçar analizoi ndeshjen në deklaratën e dhënë për Supersport, aty ku foli edhe rreth zërave që e çojnë te Partizani dhe të ardhmes me Skënderbeun.

FITORJA – “Kemi bërë një ndeshje me dy tablo. Në pjesën e parë kemi qenë goxha mirë dhe mund t’i jepnim qetësi ekipit. Kemi bërë një pjesë të dytë ku mund ta kishim humbur ndeshjen, si me Tiranën, kjo për meritë të kundërshtarëve. Me ndihmën e fatit, morëm fitoren. Kjo nuk do të thotë që ndërrimet na çuan te fitorja. Nuk kemi freskinë e duhur, por të paktën nuk duhet të prishim ekuilibrat në fushë. Të shfrytëzojmë potencialin që kemi”.

SITUATA – “Ky është kampionati. Para 3 javësh ishim në vendin e 3-të dhe synonim të ngjiteshim edhe më tepër në tabelën e klasifikimit. Do përpiqemi që me këtë potencial që kemi të shkojmë aty ku duam. Shpresoj që duke qenë pragmatistë, të luftojmë për më sipër. Duke shpresuar për një vendim pozitiv për Skënderbeun nga Gjykata Federale do të marr vendimin e duhur për të ardhmen. Sot kishim një arbitër që të paktën shfaqi personalitet. Asnjë nga lojtarët nuk cënoi pjesën e lojës në fushë”.

PARTIZANI – “Unë jam trajner i Skënderbeut, nuk kam asnjë lloj komenti për Partizanin. Këtë ia kërkoj edhe lojtarëve që kanë oferta nga skuadra të tjera. Në respekt të këtij qyteti dhe në respekt të Skënderbeut, nuk mund të komentoj më tepër”.

E ARDHMJA – “Mund të vazhdoj me Skënderbeun, por duhet të shkoj paralel edhe me politikat e klubit. Nuk e heq mundësinë që edhe me një përgjigje negative nga Gjykata Federale, nëse ka një projekt që mund ta gjej veten brenda, mund të vazhdoj. Ndihem mirë dhe i respektuar këtu”. /abcnews.al