“Fitorja” e Berishës si nekrofil në politikën shqiptare

schedule10:06 - 28 Prill, 2023

schedule 10:06 - 28 Prill, 2023

Nga Mero Baze

Në çdo vend të botës, nëse një politikan i rëndësishëm do të kishte bërë atë që bëri Berisha një javë më parë me vrasjen në Lezhë, dhe të përgënjeshtrohej zyrtarisht brenda javës, ose do të kishte lënë fushatën, ose do të kishte lënë shtëpinë e do ishte në burg.

Shpikja e një piste politike për qëllime të pastra politike, në rastin e një vrasje, e cila mund të kishte dhe implikime më të gjera se sa ligjore, është një vepër e pastër penale, pasi është shpifje me qëllim për të përfituar politikisht nga një vdekje.

Por drejtësia jonë e ka amnistuar përjetësisht Sali Berishën edhe për vrasjet e tij, dhe jo më për të botës. Kështu që nuk mund të presim shumë në këtë aspekt.

Shpifja për një pistë politike në një vrasje ordinere me sfond gjakmarrjen, është nga ana tjetër një shërbim për vrasësit, një devijim i pistës reale, për t’i lejuar ata të mos jenë në qendër të vëmendjes, derisa të largohen nga vendngjarja.

Por dhe kjo nuk është se i prish shumë punë Sali Berishës.

Ai ja ka arritur të ngrejë institucionin e nekrofilisë politike në këtë vend, qyshkur ka përdorur arkivolin e Azem Hajdarit për të thyer dyert e Kryeministrisë e më pas me çdo vdekje në vend që mendon se i shërben qoftë dhe për një votë më shumë.

Ajo që është e patolerueshme, është se si shoqëria shqiptare, madje dhe kundërshtarët e tij, ja kanë pranuar këtë standard.

Sikur Edi Rama të kishte shpikur një pistë për atë vrasje dhe brenda javës të përgënjeshtrohej, për vite të tëra Sali Berisha do ishte marrë vetëm me këtë çështje. Në rastin konkret, përveç dy- tri deklaratave politike të shkëputura, duket sikur dhe kundërshtarët e Berishës, ashtu si shoqëria, nuk kanë asnjë vullnet për t’ia përplasur në fytyrë keqpërdorimin e vdekjes së një biznesmeni, që Berisha shpiku se ishte në konflikt me PS dhe e kishte vrarë Edi Rama me Pjerin Ndreun.

Dhe mendoj kjo është fitorja më e madhe e Berishës në këtë histori. Ai ngjan i amnistuar edhe kur vret vetë, dhe kur shpif për vrasjet e të tjerëve, dhe kur i përdor ato për politikë dhe pushtet.

Është një e drejtë që e ka fituar me paturpësi, me ligësi dhe mbi të gjitha me dhunë këto 32 vite në politikën shqiptare dhe të gjithë ja njohin si të drejt legjitime.

Madje ja njohin si të tillë, edhe vetë viktimat e këtij poshtërimi çnjerëzor, të cilët ende pa u përcjellë në botën tjetër nga të afërmit, para priftit apo hoxhës, dëgjojnë të dërguarin e ferrit t’u tregojë se si njeriun e tyre të dashur ua ka vrarë gjithnjë armiku i tij.

Dhe të gjithë rrijnë e dëgjojnë, se si është vrarë vet institucioni i vdekjes, nga ky njeri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!