Fitorja e Ajaksit jehonë në Europë

schedule13:52 - 1 Maj, 2019

schedule 13:52 - 1 Maj, 2019

Jehonë e madhe në Evropë pas fitores së Ajaksit në fushën e Totenhemit në Champions. Trajneri i holandezëve lavdëroi skuadrën e tij, por trajneri i Totenhemit ka ende besim për kualifikimin në finale.

Kanë kaluar 23 vjet që kur ia dolën për herë të fundit, dhe tani janë fare pranë.

Yjet e rinj të Ajaksit e mahnitën sërish Evropën duke fituar në fushën e Totenhemit, në gjysmëfinalen e parë të Championsit, ndonëse e kanë të qartë se ende nuk janë në finale.

Është e qartë tani se përse u dorëzuan Reali i Madridit dhe Ajaksi, ashtu siç kishte theksuar trajneri i Bajernit, Kovaç, pas dy barazimeve në grup me holandezët.

Gazetat dhe Angli dhe Holandë kuptuan gjithçka.

“Daily Mail”: Spërsat mbeten me gisht në gojë! Djemtë e Poçetinos marrin një leksion futbolli nga Ajaksi plot klas!

“Deili Ekspres”: Spërsat me hundë të thyer! Dëmtohet Vertongeni, ndërsa holandezët hedhin valle në Londër!

“Tajmsi” i Londrës: Spërsat me shpatulla pas murit! Ajaksi merr kontrollin ndërsa Vertongeni pëson dëmtim serioz në kokë!

“De Telegraf” nga Holanda: Hap i madh drejt finales për Ajaksin! Gjysmëfinalja e parë e Championsit fitohet 1-0 në fushën e Totenhemit!

“Algemeene Dagblad”, po nga Holanda, i bën jehonë mediave evropiane që shkruajnë se skuadra sensacionale e Ajaksit mund ta vazhdojë ëndrrën!

Ajaksi u tregua i zoti jo vetëm në lojën ofensive, por edhe në mbrojtje, kur u detyrua të kthehej prapa në pjesën e dytë.

Këtë herë nuk shkëlqyen vetëm kapiteni De Ligt, organizatori De Jong apo serbi Tadiç, por më shumë sesa ata shënuesi i golit, Doni De Bek.

Ne luftuam si luanë, një arritje fantastike. Kemi bërë gjysmën e rrugës, por kemi besim sepse jemi në formë të mirë. Jam shumë i lumtur për vullnetin e treguar nga lojtarët e mi. E veçanta e këtij Ajaksi është se ne mund të luajmë stile të ndryshëm futbolli, mund të sulmojmë, por edhe mund të mbrohemi si ekip, kur jemi të detyruar. Nuk jemi ende të kualifikuar”, tha me krenari trajneri Te Hag.

Vetë De Bek foli i kënaqur, por edhe i kujdesshëm.

“Jam i lumtur për golin dhe për fitoren, nuk ishte aspak e lehtë, edhe pse në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Tani duhet të përfundojmë punën dhe të kualifikohemi në fushën tonë”, tha pas ndeshjes De Bek.

Totenhemi ndjeu mungesën e lojtarëve kryesorë të sulmit si Harri Kejn dhe Son.

Trajneri Poçetino, po ashtu, theksoi se ekipi i tij ishte i lodhur në pjesën e dytë, edhe për shkak të ngarkesës më të madhe në Premier Ligë.

Mendoj se gjithçka është ende e hapur, natyrisht, do ta kemi shumë të vështirë pasi e humbëm ndeshjen e parë, madje në shtëpi. Problemi është që nuk patëm shumë energji, Ajaksi ishte më i freskët se ne. Tani, le të përgatitemi për ndeshjen e dytë dhe shpresojmë që ta fitojmë. Kemi nevojë vetëm për një rezultat, fitoren, dhe duam që të jemi në finale”, deklaroi ende me besim Poçetino.

Ndeshja e kthimit Ajaks-Totenhem do të luhet të martën e 7 majit në Amsterdam./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!