Franca është pjesë e grupit D në eliminatoret e Botërorit Katar 2022, aty ku do të ketë kundërshtarë Ukrainën, Bosnje Hercegovinën, Kazakistanin dhe Finlandën. “Gjelat” e Didier Deschamps do e nisin mbrojtjen e titullit botëror në shtëpi kundër Ukrainës (24 mars).
Më pas është radha e dy transfertave kundër Kazakistanit dhe Bosnjes. Trajneri i Francës foli rreth situatës së ekipit të tij në prononcimin e dhënë për mediat, aty ku thekson se Franca e ka për detyrë të fitojë çdo ndeshje.
“Detyrimi për të arritur rezultate pozitive ekziston, pasi ne jemi Franca. Duhet të fitojmë ndeshjet dhe të mbajmë një standard të caktuar loje, duke iu imponuar kundërshtarëve por pa humbur efikasitetin në prapavijë.
Nuk do të zhvillojmë shumë seanca stërvitore këtë javë, do të fokusohemi te rikuperimi i energjive. Ukraina është rivali ynë direkt për vendin e parë. Rotacioni nuk do të mungojë në këto tre ndeshjes. Kazakistani do të jetë një transfertë e komplikuar“, deklaroi trajneri i kampionëve të botës. /abcnews.al