Presidenti Donald Trump ka arritur një fitore të rëndësishme në lidhje me linjën e tij të ashpër kundër emigracionit. Instanca më e lartë gjyqësore në Shtetet e Bashkuara i ka dhënë të drejtë masës së administratës së tij për arrestimin e emigrantëve ilegalë në pritje të deportimit.
Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara i ka dhënë administratës Trump një fitore në politikën e saj për emigracionin, duke lejuar që emigrantët në pritje të deportimit të arrestohen në çdo moment.
Vendimi i gjykatës, i miratuar me 5 vota pro dhe 4 kundër, parashikon gjithashtu që emigrantët ilegalë të qëndrojnë në burg për një kohë të pacaktuar, edhe nëse më parë kanë shlyer dënime për vepra penale.
Vendimi u miratua nga gjyqtarët konservatorë të Gjykatës Supreme, ndërsa liberalët u distancuan prej tij. Ai hedh poshtë një vendim të mëparshëm të një shkalle më të ulët, që i kishte bërë një interpretim tjetër ligjit të hartuar nga administrata Trump.
Ligji në fjalë u bë objekt debatesh të ashpra politike por edhe shoqërore. Avokatët për të drejtat civile kërkuan që emigrantëve t’u jepet mundësia për një seancë gjyqësore, në mënyrë që të shprehen dhe të mos qëndrojnë pafundësisht në gjendje burgimi derisa çështja e tyre e deportimit të trajtohet nga autoritetet përkatëse.
Nga ana e saj, administrata Trump ka deklaruar pas vendimit se qeverisë duhet t’i njihej pa tjetër kompetenca për të arrestuar në çdo moment shtetasit e huaj të dënuar për krime.
Ndërkohë, ndryshe nga Trump duket se e mendon një nga parardhësit e tij në detyrë. Në një ceremoni me emigrantët e natyralizuar amerikanë, George Ë. Bush u shpreh se emigracioni është një bekim për Shtetet e Bashkuara. /abcnews.al