Pas Institutit Ndërkombëtar Republikan, edhe një studim i publikuar nga Parlamenti Europian ka parashikuar një fitore të socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke nxjerrë në pah edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet opozita, e cila drejtohet nga Sali Berisha, i vënë nën akuzë për korrupsion nga Spak dhe aleati i tij, Ilir Meta që ndodhet në qeli.
Mjedisi politik mbetet thellësisht i ndarë dhe i polarizuar, me parti opozitare relativisht të dobëta dhe një parti qeverisëse të fortë që është në pushtet që nga viti 2013 dhe pritet gjerësisht të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2025.
Bëhet fjalë për një studim të Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Jashtme të Bashkimit Europian, me fokus rolin dhe forcimin e kapaciteteve të parlamenteve sa i përket procesit të zgjerimit.
Ndër të tjera në raport është vlerësuar përparimi që Shqipëria ka bërë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian megjithatë problem mbeten pengesat strukturore për forcimin dhe sundimin e ligjit si dhe lufta kundër korrupsionit.
Sa i përket parlamenti, raporti thekson se nuk mungojnë polemikat, duke sjellë në vëmendje edhe mosmarrëveshjen e fundit me gjykatën kushtetuese, për mandatin e deputetes Olta Xhacka, duke vëne në dyshim ndarjen efektive të pushteteve dhe sundimin e ligjit.
Javën e kaluar, edhe anketa e publikuar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan nxorri në pah mbështetjen që gëzon Partia Socialiste në krahasim me Partinë Demokratike, pasi besimi tek lideri i saj, Sali Berisha është 15 përqind, shumë herë më i ulet se besimi tek kryeministri Edi Rama, 35 %./abcnews.al