Fitojnë favoritët në Champions/ Real, Bayern, City, Inter e Leverkusen ia dolën

schedule10:34 - 30 Janar, 2025

schedule 10:34 - 30 Janar, 2025

Nuk pati të papritura, por disa herë zhgënjimi mbeti. Skuadrat favorite e treguan veten qoftë edhe në fund në Ligën e Kampionëve, duke arritur kualifikim në të tetat e finaleve, ose të paktën në plej of.

Reali kampion në fuqi, Bajerni, Interi, Atletiko e Madridit, Arsenali apo edhe Dortmundi nënkampion I Europës, patën fitore në javën e fundit në grup.

E thënë kjo, jo gjithkush arriti objektivin maksimal. Madrilenët, edhe pse triumfuan 3-0 në Francë ndaj Brestit, mbetën jastë 8 ekipeve të para, pra nuk arritën direkt në të tetat e finaleve.

Do të thotë se ekipi I trajnerit Karlo Ançeloti do të duhet të luajë dy ndeshje më shumë sesa ishte parashikuar, lodhje jo e vogël.

Edhe Bajerni nuk hyri në tetëshe, dhe nuk e pati fatin në duart e veta. Fitorja 3-1 në “Alianc Arenë” ndaj Sllovanit të Bratislavës vetëm e ndihmoi të jetë ndër favoritët në plej of, në vend të 12-të, një më poshtë se Reali. Sukses më i madh për Arsenalin, Interin, Atletikon e Madridit, Leverkusenin, Lilën dhe Aston Vilën.

Të gjitha këto skuadra janë ndër tetë të parat. Londinezët mundën 2-1 Zhironën në Spanjë me përmbysje rezultati, Interi iu fal 3 golave të Lautaro Martinezit kundër Monakos, Atletiko triumfoi 4-1 në Austri ndaj Salcburgut, me Antuan Grizmanin që realizoi dy herë.

Leverkusen mori një fitore normale, 2-0, përballë Spartës së Pragës, ku titullar ishte Qazim Laçi, e po ashtu Granit Xhaka për vendasit. Lilë, pa Edon Zhegrovën e dëmtuar, shkatërroi 6-1 Fejënordin, ekipin holandez që mesjavën e kaluar turpëroi Bajernin 3-0.

Në të tetat e finaleve edhe ish-kampionia e Europës e vitit 1981, Aston Vila. Anglezët bënë detyrën në derbin britanik ndaj Sëlltikut, në “Vila Park” me fitoren 4-2, dhe Morgan Roxhers ishte spektakolar me 3 gola.

Liverpuli pësoi humbjen e parë pas 7 fitoreve radhazi, por pa dëme dhe e mbylli grupin në krye. PSV Ajndhoven arriti një fitore shumë të rëndësishme, 3-2, në Holandë, edhe pse të kuqtë ishin dy herë në epërsi.

PSV e meritoi suksesin, sepse bëri më shumë dhe luajti më mirë, diçka që Liverpulit i ndodh për herë të parë këtë sezon. Barcelona mbajti vendin e dytë me barazimin spektakolar 2-2 në Katalonjë ndaj Atalanës. Lamin Jamal e Arauho shënuan për vendasit, dhe Ederson e Pashaliç për miqtë, me Berat Gjimshitin titullar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!