“Fitojmë ose vdesim!”

schedule09:15 - 16 Mars, 2022

schedule 09:15 - 16 Mars, 2022

Nga Zoya Sheftalovich “Politico.eu

Ndërsa Rusia po vazhdon sulmin e saj ushtarak ndaj Ukrainës, ukrainasit e zakonshëm po luftojnë me trimëri. Julia Hrytsku-Andriesh, 36-vjeçe, nënë e dy fëmijëve, është themeluesja e organizatës “Help Ukraine Romania”. Ajo ka një magazinë në qytetin rumun Siret, dhe transporton ilaçe, ushqime, ujë, produkte shtëpiake dhe furnizime të tjera shumë të nevojshme përtej kufirit në Ukrainë, ndërsa largon njerëzit nga zonat më të goditura.

“Deri 2 javë më parë problemi im më i madh ishte nëse një çantë e markës “Coach” që kisha porositur nga interneti do të mbërrinte në kohë”- thotë Hrytsku-Andriesh, që ka një doktoraturë në ekonomi, dhe punon edhe për një organizatë ndërkombëtare me seli në Ukrainë.

“Tani drejtoj një qendër humanitare që furnizon Kievin dhe Vinnytsia Oblast. Grupi ynë mund t’ia kalojë çdo kompanie logjistike në botë. Unë mund të zgjidh çdo problem. Nëse dikush më thotë se ka nevojë për 300 dyshekë me ajër në Kiev apo Vinnytsia, unë mund t’i gjej ato brenda 5 minutash”- shton ajo.

Sipas Hrytsku-Andriesh, gjëja më e vështirë është nxjerrja e njerëzve nga qytetet e rrethuara dhe të goditura rëndë nga bombardimet ruse si Mariupol, Hostomel dhe Kiev. “Njerëzit që dinin të drejtonin makinën u larguan. Por nënat që nuk dinë të drejtojnë makinën kanë mbetur atje me fëmijët e tyre. Ka të moshuar që në fillim nuk kanë dashur të largohen ose nuk kanë mundur. Tani ata nuk dinë se çfarë të bëjnë. Nuk ka korridore humanitare, kjo është një gënjeshtër e rusëve”- thekson Julia.

Edhe pse një banore e përjetshme e Ukrainës, Hrytsku-Andresh është një shtetase rumune. “Unë kam një shtëpi dhe një makinë në Rumani. Por të vajturit në Rumani tani është gjëja e fundit që mund të mendoj. Unë jam duke ndihmuar njerëzit. Në Ukrainë ekziston një forcë e madhe shpirtërore. Askush nuk po mendon të dorëzohet … Ose fitojmë ose vdesim”- shprehet ajo.

E pyetur nëse mund ta publikojmë emrin e saj, Hrytsku-Andriesh tha: “Po, përdoreni emrin tim të vërtetë. Nëse e publikoni, njerëzit do ta kuptojnë që unë jam një person real. E di që disa njerëz nuk duan të përdorin emrat e tyre. Por unë nuk kam frikë nga asgjë. Përdorni emrin tim dhe tregojini botës se si po rezistojmë”.

Në Ukrainën Perëndimore, në qytete si Chernivtsi, që gjendet më pak se 40 kilometra nga kufiri me Rumaninë, gati të gjithë po presin refugjatë nga lindja, jugu dhe veriu. Igor, një ish-mësues 44-vjeçar që tani drejton një biznes IT është një rus etnik, por që ka jetuar në Ukrainë gjatë gjithë jetës së tij.

Ai thotë se iu bashkua rezistencës, pasi e ndjeu se duhej të bënte diçka. “Disa njerëz po bashkohen për arsye fetare”- thotë Igor, që kërkoi të mos përdoret emri i tij i vërtetë, pasi i frikësohet një hakmarrje të mundshme. “Disa janë nacionalistë. Disa janë thjesht patriotë të Ukrainës si unë. Unë nuk mund të jem një ukrainas nacionalist pasi nuk kam gjak ukrainas. Por unë jam një patriot i Ukrainës”- deklaron ai.

Gruaja e Igorit, të cilën ai e dërgoi në Poloni me vajzën e tyre që kur filloi lufta, është e dëshpëruar të rikthehet sa më parë në Ukrainë, thotë ai. “Ajo dëshiron të kthehet. Nuk është ushtare…por dëshiron të bëjë diçka të dobishme, të ndihmojë”- thotë Igor.

Ai thekson tha se ai mund të kishte ikur ilegalisht nga Ukraina (pas pushtimit rus autoritetet e ndaluan ikjen e burrave të moshës 18-60 vjeç). “Instinkti im i parë ishte të ikja. Por kur fillova të mendoj për këtë, nisa të pyes veten:E ku do të shkoj? Këtu është shtëpia ime, miqtë

e mi, interesat e mia, biznesi im. Çfarë jam unë atje në mërgim? Një tjetër refugjat që i shpëton luftës? …Në momentin më kritik ndoshta do të arratisem dhe do të përpiqem të kaloj kufirin. Por tani për tani, përpiqem të ndihmoj me sa mundem”-shton ai.

Igor ka ndihmuar në prodhimin e koktejve molotov që shpërndahen nëpër qytete në vijën e parë të sulmit rus. Grupi i tij quhet “Bandera Tonics”, një referencë për Stepan Bandera, figurën politike ultra-nacionaliste që luftoi për pavarësinë e Ukrainës gjatë viteve 1930, 1940 dhe 1950, përpara se të vritej nga KGB-ja në vitin 1959.

Bandera ishte famëkeq për përdorimin e taktikave dhe atentateve terroriste, dhe organizata e tij Urdhri i Nacionalistëve të Ukrainës kreu masakra ndaj polakëve dhe hebrenjve. Sot, Bandera është bërë për disa ukrainas një hero kombëtar dhe një simbol i pavarësisë.

Por pse “Bandera Tonics”? “Na duheshin çanta për t’i futur shishet. Por në Ukrainë, ndalohet shpërndarja falas e qeseve plastike. Ndaj shkova në një dyqan të quajtur “Tonic” dhe u thashë se më duheshin qese plastike. Ata i shisnin për 2 hryvnia, rreth 10 cent. Por sapo u thashë se për çfarë më duhen, më dhanë 2000 çanta falas. Ndaj tani prodhoj “Bandera Tonics”.

Duke qenë një rus etnik, a ka menduar ndonjëherë Igor të mbështesë presidentin Vladimir Putin?

“Unë si rus, them se nuk dua që Ukraina të jetë Rusi. Narrativa e Rusisë, është se ata duhet të shpëtojnë rusët si vetja. Por ne nuk jemi rusë si ata. Ne jemi krejtësisht të ndryshëm. Sa më shumë vite që kalojnë nga epoka sovjetike, aq më pak kemi të përbashkëta me Rusinë dhe rusët”- thotë ish-mësuesi.

Igor ka strehuar në shtëpinë e tij në Chernivtsi 2 ukrainas nga Kievi:estetisten 52-vjeçare Olga dhe djalin e saj 20-vjeçar Boris, që është një programues kompjuterësh (jo emrat e tyre të vërtetë). “Ata na bombarduan që nga dita e parë. Ne u strehuam në një bodrum në metro. Ushtarët rusë erdhën nga Bjellorusia”- thotë Olga.

Burri i Olgës ndodhet rreth 544 kilometra larg në kryeqytetin ukrainas, ku ajo thotë se ndihet më i dobishëm. “Bashkëshorti im vendosi të qëndrojë në Kiev. Burrat nuk po largohen nga qyteti. Shumë burra që kanë punuar jashtë vendit në Poloni, në Republikën Çeke etj, janë rikthyer për të mbrojtur Ukrainën”- shton Olga.

Familja nuk ka plane të largohet nga Ukraina. “Unë besoj vërtet në forcën e ushtrisë tonë, e cila po bën më të mirën për ne. Të gjithë besojnë tek ajo. Askush nuk po mendon se ne mund të mposhtemi. Të gjithë janë gati të luftojnë, nga fëmijët tek të moshuarit. Sepse kjo është toka jonë. Unë nuk dua të shkoj askund. Unë dua të jetoj në Ukrainë. Unë dua që fëmija im të jetojë këtu, të rritet këtu, të punojë këtu.

“Unë jam shumë e shqetësuar për motrën time dhe familjen e saj, të cilët banojnë në Hostomel. Ata s’mund të dalin dot nga shtëpia e tyre. Nuk kanë ujë, drita, asgjë. Asnjë mundësi komunikimi”- shprehet estetistja. Borisi 20-vjeçar është i vetmi në familjen e tij që merr ende një rrogë nga puna e tij në IT.

“Prindërit e mi humbën punën; Unë jam i vetmi që mund të fitoj para pasi punoj nga interneti. Kështu gjatë ditës punoj dhe natën jam vullnetar dhe ndihmoj me pajisje Kievin. Unë po ndihmoj në çuarjen e gjërave atje. Sidomos të ilaçeve. Këtu farmacitë janë të hapura, por në Kiev shumë prej tyre janë tashmë të mbyllura.

Im atë po organizon mbrojtjen e lagjes sonë në periferinë e Kievit. Unë i kam dërguar atij mesazhe për ata që janë në nevojë. Për shembull të shkojë në stacionin e trenit për të ndihmuar me evakuimet, apo kur dikush duhet të shkojë tek furra për t’u shpërndarë bukën njerëzve që kanë nevojë për të.

Por si ndihet tani Boris, që është i sigurt në Ukrainën Perëndimore? “Ndihem shumë çuditshëm. Ditët e fundit jam vazhdimisht në ankth për miqtë dhe familjen time. Por babi po na mban moralin lart. Tezja ime në Hostomel ka macen e saj. Gjërat janë të vështira. Por ne nuk jemi në panik”- thotë i riu. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!