Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij të parë si kryetar i PD-së nga seli blu pasi fitoi bindshëm ndaj rivalit të tij, Ibsen Elezi. Ai e cilësoi procesin si një mrekulli të shekullit XXI.
“U krye. Zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë e shqiptarëve në shekullin e 21. Nuk kam një fjalim të gjatë sot, por një përulje të madhe dhe një mirënjohje të pakufijshme për të gjithë ata burra dhe gra, djem dhe vajza, që në një hark kohor votuan si njerëz të lirë në një proces që do regjistrohet në historinë e lirisë së shqiptarëve si mrekullia e vërtetë të shekullit të 21. Një mik i madh i kombit tonë 31 vite më parë Jim Bakker u tha se ju do zgjidhni të lirë.” tha Berisha.
Në fjalën e tij, kryetari i ri i PD-së u shpreh se tani misioni i opozitës është të çlirojë Shqipërinë nga një regjim, që sipas tij, nuk e meriton.
“Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë anëtarët që sot këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur kryetarin e PD-së. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, detyrim shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju ne do t’ia dalim. Ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohu PD, t’i njohë mbarë Shqipëria dhe të çlirojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton. Në mënyrë të veçantë mirënjohja ime shkon te të rinjtë shqiptarë. Ishin ata promotorët kryesorë të kësaj lëvizje ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve do bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë fjalë”, shtoi ish-kryeministri.
Një përshëndetje kishte dhe për kundërshtarin e tij, Ibsen Elezin i cili garoi përballë ish-kryeministrit në këtë garë.
“Një përshëndetje të veçantë kam për Ibsen Elezin, për rivalin tim i cili si demokrat i vërtetë zhvilloi një garë të qytetëruar”, tha Berisha.
Sali Berisha ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike pas 9 vitesh. Në zgjedhjet e mbajtura më 22 maj, ish-kryeministri mori 93.45% të votave në të gjitha degët e partisë, duke mundur kështu kandidatin tjetër dhe të vetmin, Ibsen Elezi, në një garë rezultati i së cilës nuk ishte aspak surprizë.
Sali Berisha 40820 (93.45%).
Ibsen Elezi 2532 (5.8%).
Moren pjesë 43680 demokratë.
Të pavlefshme 328 fletë.
/abcnews.al/