Fitimi i tregut të sigurimeve, në rritje për të tretin vit radhazi

schedule07:20 - 10 Qershor, 2022

schedule 07:20 - 10 Qershor, 2022

Tregu i sigurimeve i rriti fitimet për të tretin vit radhazi në 2021.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rezultati financiar i tregut arriti vlerën e 1.12 miliardë Lekëve ose 9.3 milionë Eurove. Krahasuar me vitin 2020, fitimi i siguruesve shqiptarë është rritur me 7.9%.

Megjithëse të dhënat e detajuara financiare nuk janë ende të disponueshme, vlerësohet se ndikimin kryesor pozitiv në zgjerimin e fitimeve vitin e kaluar e ka dhënë rritja e të ardhurave nga primet. Sipas AMF, primet e shkruara bruto për vitin 2021 u rritën me 16%, ndërsa të ardhurat neto nga primet në total u rritën me 11.6%, krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, tendenca e fitimit edhe këtë vit ka qenë e ndryshme për tregjet e sigurimit të Jetës dhe të Jo-Jetës. Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës raportuan fitim neto në vlerën e 992 milionë lekëve ose 8.2 milionë Eurove. Fitimi i tregut të Jo-Jetës u rrit me 12.5% krahasuar me vitin 2020.

Raporti i dëmeve neto (pa përfshirë pagesën e dëmeve nga risiguruesit) në raport me primet e fituara neto vitin e kaluar u rrit në 34.4%, nga 31.9% që kishte qenë një vit më parë.

Megjithëse në terma bruto vitin e kaluar u paguan më pak dëme, në to pati një pjesë më të vogël të paguar nga risiguruesit. Kjo lidhet në një masë të madhe me strukturën e dëmeve. Në vitin 2020, pjesa më e madhe e dëmeve ishin të lidhura me tërmetin e nëntorit 2019. Zakonisht, katastrofat janë përgjegjësi që masën dërrmuese risigurohen dhe kompanitë shqiptare paguan vetëm një pjesë të vogël të faturës së dëmeve.

Ndërkohë, vitin e kaluar tregu iu kthye tendencave normale, ku dëmet u dominuan kryesisht nga sigurimet motorike, ndaj edhe pagesat neto të tyre nga kompanitë e sigurimeve u rritën.

Por, ndërsa shpenzuan më shumë për dëme, kompanitë e sigurime ulën disi shpenzimet e tjera të aktivitetit. Raporti i shpenzimeve, që përfaqëson raportin midis shpenzimeve operative neto dhe shpenzimeve të tjera neto për sigurimet kundrejt primeve të fituara neto, vitin e kaluar ra në 58.6%, nga 60.6% që kishte qenë një vit më parë.

Kompanitë e sigurimit të Jetës pësuan rënie të fitimit neto për të dytin vit radhazi, në shumën e 129 milionë lekëve, 18.8% më pak krahasuar me vitin 2020. Sipas AMF, rënia është ndikuar kryesisht nga rritja e shpenzimeve operative përkundrejt primeve të shkruara bruto, si edhe rritja e pagesës së dëmeve. Kompanitë e sigurimit të jetës janë prekur ndjeshëm nga rritja e vdekjeve që është regjistruar në periudhën pas pandemisë dhe efektet në dëme janë ndier sidomos vitin e kaluar.

Në fund të vitit të kaluar, kompanitë e sigurimeve zotëronin një kapital aksioner në vlerën e 13.6 miliardë Lekëve ose 112 milionë Eurove, në rritje me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Rritja e fitimeve ka dhënë ndikimin kryesor në zgjerimin e kapitalit të tregut./monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!