Një hap historik u hodh në Davos të Zvicrës ku u firmos statuti për Bordin e Paqes.
Kreu i bordit, presidenti amerikan Donald Trump, qëndroi krah liderëve nga e gjithë bota në nisje të asaj që pritet të jetë një strukuturë e rëndësishme ndërkombëtare për të mbikëqyrur Gazën dhe jo vetëm.
Trump tha se liderët pjesëmarrës në bord kanë një potencial të madh dhe e quajti secilin prej tyre një mik të tij.
Kreu i shtëpisë së Bardhë shprehu ambiciet që ky Bord të bashkërendohet me Kombet e Bashkuara, që atë që do të ishte një organizëm unik ndërkombëtar.
“Mendoj se mund të përhapemi në gjëra të tjera, ndërsa kemi sukses me Gazën, do të kemi shumë sukses në Gaza. Pasi ky bord të formohet plotësisht, mund të bëjmë pothuajse çdo gjë që duam. Do të punojmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Mendoj se kombinimi i Bordit të Paqes me llojin e njerëzve që kemi këtu, së bashku me Kombet e Bashkuara, mund të jetë diçka shumë unike për botën” tha Trump.
Krah Donald Trump për të firmosur statutim e Bordit qëndruan liderë nga vende të ndryshme që ndërmjetësuan për arritjen e armëpushimit në Gaza. Mes tyre edhe Turqia, Katari dhe Egjipti, vendi ku u nënshkrua marrëveshja për fundin e konfliktit dy vjeçar.
E pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila pranoi ftesën për t’iu bashkuar bordit dhe pati një takim tejet miqësor me presidentin amerikan.
Ali Shaath që do të drejtojë Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, një organ me teknokratë palestinezë, njoftoi ndër të tjera se së shpejti do të hapet pika kufitare e Rafah në të dyja anët, pra nga Egjipti dhe nga Gaza, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit.
Ndërkohë në pamjet që u zbuluan nga Jared Kushner, një nga negociatorët për paqen dhe anëtar I rëndësishëm I bordit, synimi është që enklava palestineze të shndërrohet në një zonë të rëndësishme turistike./abcnews.al


