Firmosen me BERZH marrëveshjet për turizmin, Rama: Hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE

schedule12:33 - 8 Tetor, 2020

schedule 12:33 - 8 Tetor, 2020

Kryeministri Rama së bashku me ministren Anila Denaj në një takim online firmosen me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim marrëveshjet e investimeve për turizmin e trashëgiminë në Shkodër, Berat, Fier dhe Gjirokastër.

Ndërkohë që në këtë takim online kanë qenë të pranishëm Presidenti i BERZH dhe Ambasadori Soreca, të cilët kanë folur për memorandumin e Mirëkuptimit me BERZH në mbështetje të anëtarësimit në BE të Shqipërisë, dhe dy Marrëveshjet e Financimit për zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në katër pole strategjike për ekonominë kombëtare.

Në fjalën e mbajtur, kryeministri Rama tha se nënshkrimi i marrëveshjeve të infrastrukturës turistike është mjaft i mirëpritur ndërsa theksoi se po vijohet nga fjalimet e bukura tek nënshkrimet e tyre.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve të infrastrukturës turistike është pjesë dhe është mjaft i mirëpritur sepse përfshin një paketë të plotë të riparimeve dhe zhvillimeve të zonave të trashëgimisë. Le të vijojmë nga fjalimet e bukura tek nënshkrimet, jam i kënaqur t’ju them se jeni më shumë të mirëpritur për të na vizituar kurdo.

Ka tashmë një angazhim nga BE dhe nga Komisioni për të na ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin natyrisht duke mbështetur një treg të përbashkët evropian. Shpresoj që hekurudha Tiranë-Durrës të bëhet një rrjet rajonal hekurudhor.

Sa i takon aspektit dixhital mendoj se të gjithë duhet të bëjmë ç’të mundemi për ta nxitur dhe për të pasur një shtyllë kryesore dixhitale.

Në raport me energjinë jemi më mirë seç duhet sepse ne kemi më të pastrën në rajon. Na duhet të kemi projekte të mira të cilat përmbushin standardet e vendosura nga miqtë e BE”, tha Kryeministri.

Kryeministri Rama falënderoi BE për angazhimin, teksa e cilësoi këtë memorandum një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Mendoj se është një hap i rëndësishëm ky memorandum që po nënshkruajmë sot, që njeh plotësisht objektivat tona të integrimit në BE, duke ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara.

Tashmë besoj se mund të jemi mjaft të frymëzuar nga ajo çka po ndodh në frontin e BE që ka dalë me një paketë investimesh për të gjithë rajonin. Por ne e dimë që për të qenë efektiv në përthithjen e këtyre parave na duhet më shumë ekspertizë. Shpresoj që banka juaj, që është plot me para dhe ekspertizë, do vijojë të na ndihmojë në këtë drejtim.

Nuk ka dyshim që BERZH do të luajë rol parësor në këtë ecuri të mëtejshme të Shqipërisë në BE dhe nënshkrimi i marrëveshjeve është mjaft i mirëpritur”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

n.d./abcnews.al