Keylor Navas realizoi ëndrrën e tij në vitin 2014. Portieri nga Kosta Rika u transferua nga Levante te Real Madrid dhe fitoi gjithçka me “Los Blancos”, mbi të gjithë 3 herë trofeun e Champions League. Verën e kaluar mori fund aventura në Madrid dhe Navas zgjodhi PSG-në për të vijuar karrierën.
32-vjeçari tregon për El Chiringuito se firmosi me Realin pa e lexuar fare kontratën. Për Zidane ruan vetëm kujtime të mirë dhe e falënderon për besimin e treguar, teksa zbulon edhe një detaj interesant gjatë ndeshjes Real Madrid-PSG (2-2), kur u kthye si kundërshtar në stadiumin ku kaloi vitet më të bukura të karrierës.
“Gjithmonë pyesja veten se çfarë do të bëja nëse një klub i madh do të blinte kartonin tim. Do të ulërija, qaja apo do të hidhesha përpjetë nga gëzimi? Kur më treguan se do të transferohesha te Real Madrid, pranova menjëherë pa i ditur kushtet e kontratës time.
Dua të kujtoj vetëm gjërat e bukura nga aventura në Madrid. Kam kaluar një eksperiencë pozitive me Zidane, me atë trajner arritëm të fitonim gjithçka. Jam zbavitur dhe ai më ka mbrojtur shumë herë. Dua ta falënderoj për besimin që ka treguar kundrejt meje.
Rikthimi në Madrid? Ishte një ndjesi e çuditshme dhe tentova ta përjetoj gjithçka natyralisht. Nuk kishte shumë që isha larguar. Sapo dolëm në fushë për të bërë nxehjen, ika drejt tifozëve për t’i përshëndetur. U nisa majta, më pas e kuptova se kisha ngatërruar drejtim. Kur nisi takimi unë isha pozicionuar në anën ku zakonisht Reali zgjedh të nisë ndeshjen“, thekson Keylor Navas. /abcnews.al