Barcelona ende nuk e ka zgjidhur çështjen e rinovimit të Messit, por duket se nuk do kalojë shumë dhe kapiteni do vendosë të zezën mbi të bardhë dhe do firmosë kontratën e re. Një nga hapat drejt asaj rruge ka ndodhur sot.
Avioni privat i “Pleshtit” ka zbarkuar sot në aeroportin “El Prat”, me Messin, që i është drejtuar shtëpisë së tij në provincën e Castelldefels, i shoqëruar nga roja të shumtë sigurie dhe anëtarë të klubit të Barçës.
Ardhja e tij ndodh pas thuajse një muaji mjaft intensiv, por edhe të lumtur për të. Ai fitoi Copa America me Argjentinën dhe më pas shijoi pushimet e tij në Miami dhe Republikën Dominikane.
Mundo Deportivo raporton se ardhja e Messit qartëson edhe një herë se gjithçka mbi rinovimin është mbyllur. Ai do firmosë për 5 vite dhe leja nga La liga ka ardhur. Firma e Messit pritet të shoqërohet nga disa largime të tjera këtë verë, për të liruar hapësirat financiare. /abcnews.al