Fiorin Durmishaj si Shaqiri e Xhaka: Zgjodha Greqinë sepse më ndihmoi

schedule20:33 - 9 Mars, 2019

schedule 20:33 - 9 Mars, 2019

Fiorin Durmishaj ka sqaruar arsyet që e bënë të zgjidhte kombëtaren greke dhe jo Shqipërinë. Ai vlerëson ndihmën që pati në Greqi dhe ndjen detyrim për t’ia shpërblyer.

Ishte krejtësisht e drejta e tij për të zgjedhur. Fiorin Durmishaj tashmë e ka deklaruar vendimin, që është për të luajtur me kombëtaren e Greqisë, duke I dhënë fund shpresave të tifozëve shqiptarë që ta shikonin me fanelën kuqezi. Sulmuesi 22-vjeçar i ngjau thuajse pikë për pikë rasteve të shqiptarëve të Zvicrës, me origjinë nga Kosova, si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili apo Valon Behrami, të cilët zgjodhën pikërisht Zvicrën, vendin ku u rritën dhe u formuan si lojtarë.

“Unë nuk mundem të mos e dua këtë vend, – ishin fjalët e Durmishajt, për emisionin “Total Futboll”, – shokët e mi janë grekë, ata më kanë ndihmuar shumë dhe nuk më shikojnë si të huaj, siç ndodhte më parë. Erdha me familjen në Greqi në kohë shumë të vështira, dhe më ndihmuan, për këtë arsye unë dua ta nderoj këtë vend aq sa të mundem”.

Gjithsesi, në ndonjë media greke nuk është pëlqyer ajo që Durmishaj i ka thënë trajnerit të Shqipërisë U21, Alban Bushi, duke i kërkuar falje që ka zgjedhur Greqinë.

“Një deklaratë që duhet diskutuar kur vjen puna për kombëtaren, kërko falje për Durmishajn”, titullon njëra prej mediave.

Futbollisti duket se nuk ka qenë kaq i bindur që në fillim se duhej të luante për Greqinë, sepse ai ka 8 ndeshje me Shqipërinë U21 nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi, madje duke shënuar edhe një gol, në fitoren 3-2 në fushën e Islandës. Gjithsesi, në momentin që duhej të zgjidhte, Durmishaj duket se u mendua më thellë dhe vendosi që të bënte për Greqinë atë që nuk bëri kur ishte në moshën nën 21 vjeç.

Ndryshe nga Durmishaj, Xhaka apo Shaqiri luajtën që në fillim për Zvicrën, madje refuzuan edhe Kosovën, kur ajo u pranua ndërkombëtarisht, ndërsa pati ofendime ndaj tyre kur erdhën në Tiranë për të luajtur në eleminatoret e Botërorit 2014. Ofendime mund të ketë edhe për Durmishajn nëse Greqia do të luajë në Tiranë, Elbasan apo Shkodër, ndonëse kjo nuk e bën të duket I gabuar vendimi i marrë prej tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!