Fiona Rushiti, ka treguar në emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News se si ka arritur të realizojë performancën e saj në Greqi mbi balonë dhe mes 32 mijë tifozëve grekë.
“Ftesën nuk e prisja, kisha frikë që të isha shqiptarja e vetme në mes të Greqisë. Kam marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët grekë dhe nga organizatorët”, tregoi Fiona, duke shtuar: “Perfomanca ime ishte në orën 17:00 por për shkak të erës u shty në orën 19:00. Fillimisht u tremba sepse kisha frikë se mos nuk do të mund ta realizoja. Kur më kanë thënë në 19:30 Fiona bëhu gati se balona u ngrit, aty kam nxituar menjëherë e lumtur”.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste, akrobatja Rushiti tregoi se ka dashur që perfomancën ta bëjë në Shqipëri, por që kjo nuk i ishte miratuar.
“Unë e kam kërkuar ta bëj në Shqipëri dhe përgjigja që mora ishte se performancën time nuk e kishte miratuar UEFA. Unë kam dashur ta bëj vullnetare performancën për vendin tim”, u shpreh ajo.
/abcnews.al/