Finlanda do të presë një njësi të re komanduese tokësore të aleancës ushtarake të NATO-s, u tha gazetarëve të premten ministri i Mbrojtjes Antti Hakkanen pas një takimi të aleancës në Bruksel.
Pas dekadash mos-angazhimi ushtarak, Finlanda u bashkua me NATO- n vitin e kaluar në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia fqinje.
“Kam kënaqësinë të them se sot të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë dhënë pëlqimin e tyre politik për qëllimet kryesore të Finlandës në integrimin e saj në NATO,” tha Hakkanen.
“Finlanda do të presë një komandë të NATO-s dhe do të ketë prani të forcës tokësore në Finlandë,” shtoi ai.
Hakkanen tha se komanda finlandeze e NATO-s do të ketë si detyrë të drejtojë operacionet e luftës tokësore në Evropën veriore dhe në Skandinavi. Ai nuk pranoi të zbulonte vendndodhjen e saktë të komandës ose sa trupa të NATO-s do të vendoseshin në Finlandë, duke thënë se planifikimi i detajuar ishte ende në vazhdim./abcnews.al