Finlanda mbyll dhe tri pika të tjera kufitare me Rusinë

schedule09:37 - 24 Nëntor, 2023

schedule 09:37 - 24 Nëntor, 2023

Kush dëshiron të shkojë nga Rusia në Finlandë duhet të përgatitet mirë për të ftohtin dhe dimrin. E vetmja pikë kufitare që do të jetë vazhdojë të jetë e hapur për automjetet në ditët në vijim gjendet në veri të Rrethit Polar Arktik.

Drejtoria e Kufijve njoftoi se në zbatim të vendimit të qeverisë pikëkalimet kufitare në Salla, Kuusamo dhe Vartius do të qëndrojnë të mbyllura deri të paktën pak para Krishtlindjeve. Qeveria finlandeze njoftoi se nga e premtja (24.11.2023) për automjete që vijnë nga Rusia do të jetë i hapur vetëm kalimi Raja-Jooseppi në Lapland në veri të Rrethit Polar Arktik. Aty mund të dorëzohen edhe kërkesa për azil. Ky rregull vlen deri më 23 dhjetor.

Rritje e numrit të azilkërkuesve nga vende të treta

Javët e fundit rojet kufitare finlandeze kanë regjistruar një rritje të madhe njerëzish, me origjinë kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët kanë hyrë me biçikleta dhe pa dokumentet e nevojshme nga Rusia në territorin e Finlandës dhe kanë kërkuar azil në Finlandë.

Sipas të dhënave të qeverisë që nga fillimi i gushtit janë regjistruar rreth 700 vetë. Javën e kaluar qeveria finlandeze mbylli edhe katër pika kufitare në juglindje të vendit, të cilat mund të arrihen me lehtësi nga metropoli rus i Shën Peterburgut.

Helsinki zyrtar e akuzon Rusinë se ndryshe nga më parë i lejon tani njerëzit të hyjnë në Finlandë pa dokumente të vlefshme.

Kryeministri Petteri Orpo e cilësoi mbylljen e pikave kufitare si një sinjal të qartë për Moskën, se Finlanda nuk do ta pranojë një gjë të tillë. “Rusia që e shkaktoi dhe e lejoi këtë situatë, është gjithashtu në gjendje ta zgjidhë atë”, u tha ai gazetarëve.

Rusia akuzon Finlandën për “rusofobi”

Guvernatori i rajonit verior rus të Murmanskut, Andrei Tshibis, përsëriti edhe një herë në kanalin e tij në Telegram kritikat e Moskës përmbylljen e kufiritdhe e quajti këtë vendim si provokues. Në të njëjtën kohë ai pranoi se në anën ruse të kufirit ishin mbledhur shumë të huaj që donin të hynin në Finlandë. Sipas tij një ditë më parë kufitarët rusë kishin parandaluar një tentativë të tyre për të kapërcyer kufirin.

Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve Frontex planifikon të dërgojë nga java e ardhshme në Finlandë 50 oficerë kufitarë si dhe automjete patrullimi shtesë për të ndihmuar për regjistrimin e emigrantëve, kontrollimin e dokumenteve dhe apo për përkthyeer. Frontex-i ka aktualisht dhjetë oficerë kufitarë në Finlandë./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!