Finlanda dhe Suedia: fillim i anëtarësimit në NATO?

schedule12:20 - 13 Prill, 2022

schedule 12:20 - 13 Prill, 2022

Për një kohë të gjatë, një anëtarësim në NATO i Finlandës dhe Suedisë përjashtohej. Tani ai po duket më i mundur. Në takimet e kryeministreve e në një raport aktual të Këshillit të Sigurisë bëhet fjalë për gjendjen e re.

Nga Lufta e Ftohtë deri në aneksimin e Krimesë në vitin 2014, asgjë deri tani nuk ishte në gjendje t’I nxisë Finlandën dhe Suedinë që t’i bashkohen aleancës ushtarake perëndimore NATO – duke hequr dorë në këtë mënyrë nga pavarësia e tyre ushtarake. Finlanda në veçanti nuk donte të irritonte fqinjët e saj rusë dhe në vend të kësaj preferoi të ishte një lloj ndërtuese urash midis Lindjes dhe Perëndimit, si për shembull gjatë samitit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në Helsinki në 2018.

Por vitet e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe NATO-s janë forcuar, edhe pa qenë ato shtete anëtare. Në fund të marsit, Suedia dhe Finlanda morën pjesë në një stërvitje të madhe të NATO-s në Norvegji. Veçanërisht në Finlandë, ka një ndërgjegjësim në rritje se ky vend është shumë i cenueshëm për shkak të kufirit të tij prej rreth 1300 km me Rusinë. Por lufta në Ukrainë tani ua tregon edhe më qartë evropianoveriorëve: pa anëtarësimin në NATO, nuk mund të presësh mbështetje të plotë ushtarake nga vendet e tjera perëndimore në rast emergjence.

Partia e majtë finlandeze ende frenon

Në fillim të janarit, sondazhet treguan se 30 për qind e finlandezëve ishin në favor të anëtarësimit në NATO. Në fund të marsit, kjo shifër ishte mbi 60 për qind. Dëshira për mbrojtje nga fqinji rus është rritur që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Atmosfera politike po ndryshon gjithashtu: disa parti populiste të qendrës së djathtë dhe të krahut të djathtë kanë qenë prej kohësh të hapura për anëtarësimin në NATO. Fundjavën e kaluar, partia e dytë më e madhe e qeverisë, Partia e Qendrës, hapi rrugën pasi e kishte kundërshtuar gjatë anëtarësimin në NATO. Socialdemokratët e kryeministres Sanna Marin dhe partneri i koalicionit Të Gjelbërit gjithashtu do të pozicionohen javët e ardhshme.

Që sot, qeveria finlandeze do të paraqesë një raport mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë – nuk është e qartë se deri në çfarë mase do të marrë një qëndrim të detajuar për çështjen e NATO-s. Megjithatë, shumë ekspertë politikë finlandezë presin që debati të jetë më shumë për “kur” sesa “nëse” përsa i përket aplikimit për anëtarësim. Edhe Presidenti finlandez Sauli Niinistö pret një “shumicë të madhe parlamentare” në favor të anëtarësimit.

Por partia e majtë në pushtet ende i frenon gjërat. Deputetja e kësaj partie, Katja Hänninen theksoi në radion finlandeze Yle: “Pavarësia ushtarake e Finlandës na ka dhënë një rol të rëndësishëm si ndërmjetës në krizë, ne kemi një vullnet të shkëlqyer për të mbrojtur vendin tonë dhe ushtrinë tonë funksionale”.

Opozita suedeze ushtron presion

Në Suedi, shumë njerëz tradicionalisht janë krenarë për pavarësinë e tyre ushtarake. Për më shumë se 200 vjet, vendi nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në ndonjë luftë.Ky neutralitet lejoi që Suedia të shpëtonte nga luftërat botërore të shekullit të 20-të. Pse të rrezikosh sot të përfshihesh ndoshta në një konflikt, thonë kritikët.

Por si te fqinjët e Suedisë, atmosfera ka ndryshuar kohët e fundit: menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, një sondazh tregoi se pothuajse gjysma e suedezëve ishin në favor të anëtarësimit të vendit në NATO dhe se pak më shumë se një e katërta ishin qartësisht kundër tij.

Megjithatë, këtu situata politike është disi më e ndërlikuar. Sepse në vjeshtë, do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme – dhe çështja e NATO-s është bërë një çështje gjithnjë e më e rëndësishme e fushatës javët e fundit. Socialdemokratët në pushtet të kryeministres Magdalena Andersson e kanë kundërshtuar tradicionalisht anëtarësimin në NATO. Këtë partitë konservatore po e shfrytëzojnë për të bërë presion ndaj qeverisë në fushatën elektorale që po fillon. Udhëheqësi i opozitës Ulf Kristersson la të kuptohet se do të paraqesë një kërkesë për anëtarësim në rast të një fitoreje në zgjedhje. Kohët e fundit, edhe demokratët suedezë populistë të krahut të djathtë kanë sinjalizuar se përfundimisht do të mbështesin një anëtarësimi në NATO. Kështu në parlamentin suedez do të kishte një shumicë  në favor të anëtarësimit.

Shqetësim për reagimin rus

Situata megjithatë, nuk do të ishte pa rreziqe për të dyja shtetet. Deputetja Juha Mäenpää, nga partia e djathtë populiste finlandeze “The Finns”, për shembull, mendon se një kërkesë për anëtarësim vetëm sa do të përkeqësonte marrëdhëniet tashmë të acaruara me Rusinë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kohët e fundit tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk do të sillte stabilitet në Evropë. NATO është një “instrument i drejtuar për konfrontim”, tha ai. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, kërcënoi gjithashtu në fund të shkurtit me “pasoja të rënda ushtarake dhe politike”.

Eksperti finlandez i politikës së jashtme Charly Salonius-Pasternak tha në radion finlandeze se nga Moska janë të mundshme dy reagime: sulme kibernetike kundër autoriteteve -ose që Rusia të dërgojë refugjatë nga vende të tjera përtej kufirit finlandez për të ushtruar presion. Të premten e kaluar, Ministria e Mbrojtjes dhe e Punëve të Jashtme Finlandeze ishte shënjestër e një sulmi kibernetik, autori i të cilit ende nuk është identifikuar./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!