Financimi i partive për zgjedhjet, KQZ: Vetëm 5 parti kanë dorëzuar raportin

schedule11:50 - 24 Shtator, 2019

schedule 11:50 - 24 Shtator, 2019

Partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit kanë afat deri më datë 26 Shtator për të dorëzuar raportin mbi të ardhurat e përfituara, shpenzimet e kryera, bilancet apo detyrimet që partia ka pasur qysh nga caktimi i datës së zgjedhjeve e deri në ditën e zgjedhjeve.

Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj, në një deklaratë për mediat tha se partitë politike e kanë detyrim këtë gjë, por deri më tani janë vetëm  5 parti që e kanë dorëzuar raportin.

“KQZ nisur nga fakti që për herë të parë partitë politike duhet të përfshijnë raportet financiare të fushatës së kandidatëve ka komunikuar në mënyrë të vazhduar me financierët e partive pritke duke iu kërkuar zbatimin e ligjit. Deri tani nga 36 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 Qershorit pranë KQZ e kanë dorëzuar raportin vetëm 5 parti politike”.

Sipas zëdhënëses, KQZ do të marrë masa administrative ndaj partive që nuk e respektojnë ligjin.

“Brenda datës 26 Nëntor, audituesit ligjor duhet të depozitojnë raportet e monitorimit të fushatës ligjore dhe brenda datës 16 dhjetor 2019 raportet e auditivit financiar të partive politike. Raportet e dorëzuara në KQZ do të publikohen në faqen zyrtare brenda 10 ditëve nga dorëzimi i tyre”.

Sipas KQZ, dorëzimi i raporteve financiare të partive është faktor i transparencës si edhe një çështje e trajtuar gjerësisht në raportin e OSBE-së./abcnews.al