Shtohen mungesat për Real Madrid në prag të ndeshjes së Champions League kundër Interit. Zinedine Zidane ka disa mungesa të rëndësishme në mbrojtje dhe ka qenë vetë klubi madrilen që ka konfirmuar dëmtimet.
Bëhet fjalë për Nacho, Dani Carvajal dhe Odriozolën, të cilët nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit francez. Në listën e mungesave është shtuar edhe Eder Militao, i cili ka rezultuar ditën e sotme pozitiv me Covid-19. Mbrojtësi brazilian tashmë do të ndjekë protokollin mjekësor, duke u futur në karantinë.
Por, nuk ka vetëm lajme negative në Madrid. Lucas Vazquez dhe Martin Odegaard janë rikuperuar nga dëmtimet dhe i janë bashkuar pjesës tjetër të grupit në seancën stërvitore ditën e sotme në Valdebebas. Ndeshja kundër zikaltërve është planifikuar të zhvillohet ditën e nesërme, ku madrilenët kërkojnë të përmbysin situatën e vështirë që po kalojnë në Champions League. /abcnews.al