Më në fund Ministria e Shëndetësisë ka ndezur dritën jeshile për tifozët në stadiumet tona. Ditën e sotme, vetëm 7 orë nga ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë FSHF njofton mbërritjen e një leje të posaçme nga autoritetet shëndetësore për lejimin e 1 mijë tifozëve.
FSHF është organizuar shpejt dhe përmes një njoftimi tregon mbi shitjen e biletave, të cilat do të jenë të disponueshme për tifozët duke nisur nga ora 14:30.
NJOFTIMI – Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të bej me dije se është njoftuar ditën e sotme, në orën 12:05, se ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë do të luhet me praninë e limituar të tifozëve.
Në përgjigje të kërkesës sonë “Mbi lejimin e spektatorëve në finalen e Kupës së Shqipërisë”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë lejen e posaçme për praninë e 1 mijë tifozëve.
Duke parë kohën e limituar në dispozicion, FSHF njofton të dy klubet dhe tifozeritë respektive se biletat e ndeshjes mund ti sigurojnë pranë dyqanit të FSHF, në rrugën e “Elbasanit”, dhe në biletarinë e stadiumit “Selman Stërmasi” duke filluar nga ora 14:30. /abcnews.al