Qeveria arrin të mbyllë transaksionin për marrjen e 500 milionë eurove hua në tregjet ndërkombëtare. Këtë herë ministria e Financave dhe Ekonomisë tentoi të hyjë në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një eurobond me afat maturimi 7-vjeçar, afat më i gjatë se në të shkuarën, duke arritur që të marrë dhe një normë interesi më të ulët, prej 3.5%.
Huaja synon shlyerjen para kohe të 200 milionë eurove të marra në vitin 2015-n dhe nevojën për financim të buxhetit në vitet e ardhshme. Në vitin 2015, interesi i eurobondit ishte 5.75%, ndërsa sot ekzekutivi ia ka dalë që të ketë një normë 2.25% më të ulët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale gjatë paradites, kryeministri Edi Rama tha se emetimi i eurobondit është një test real për ekonominë shqiptare, ku vlerësimin nuk e bën opozita apo komentatorët, por tregjet e kapitalit.
“Tregjet u përgjigjën qartë, 4 vjet më parë Shqipëria paguante 5.75% bond 5 vjeçar, për të kompensuar ata që investonin paratë tek ky vend. Sot paguajmë 3.5% bond 7 vjeçar. Shqipëria shihet si një investim i sigurtë e premtues falë reformave transformuese”, shkruan kreu i qeverisë Rama./abcnews.al