FSHF ka publikuar datat e finaleve në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Apolonia dhe Kastrioti, që sezonin e ardhshëm luajnë në Superiore, do të përballen mes tyre për trofeun dhe për 30 milion lekët që akordohen nga FSHF për fituesin. Për titullin e Kategorisë së Dytë përballen Tomori e Vora, ndërkohë që më poshtë janë edhe datat, oraret dhe stadiumet ku do të zhvillohen këto finale.
NJOFTIMI I FSHF – “Do të luhen këtë javë finalet që do të shpallin skuadrat kampione në Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë. Ditën e mërkurë, datë 22 korrik, ora 19:00 do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” sfida Kastrioti-Apolonia, që do të shpallë ekipin kampion në Kategorinë e Parë.
Kastrioti vjen në këtë duel si fitues i Grupit A, ndërsa Apolonia e mbylli sezonin e rregullt në krye të Grupit B të kësaj kategorie. Një ditë më vonë, më 23 korrik në ora 17:30 do të luhet finalja e Kategorisë së Dytë, Vora-Tomori.
Kjo sfidë, që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të vërë përballë dy fituesit e grupeve A dhe B në këtë kategori”, shkruan FSHF në njoftimin e publikuar në faqen e saj zyrtare në internet. /abcnews.al