Shqipëria e futbollit është në pritje të një lajmi të rëndësishëm javën e ardhshme me Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, që në mbledhjen e 26 shtatorit do të shqyrtojë kandidaturat për organizimin e Kampionatit Europian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Europian U-19 për vitet 2026 dhe 2027.
Siç është bërë e ditur tashmë, Federata Shqiptare e Futbollit ka vënë kandidaturën e saj për pritjen e finaleve të një Kampionatit Europian për moshat U-17 & U-19, përmes një pune të madhe që është bërë për më shumë 1 vit për të plotësuar aplikimin, në një kohë që kandidatura është pranuar nga komisioni përkatës në UEFA. Pritja e finaleve të një Europiani në Shqipëri do të ishte një arritje fantastike për FSHF-në dhe futbollin shqiptar, për të mos harruar edhe benefitet që do të përfitonte vendi në çdo aspekt, që nga të ardhurat që do gjeneronte ky kompeticion në ekonominë vendase, promovimi i imazhit të vendit dhe vëmendjen e medias ndërkombëtare që do të sillte një turne i këtyre përmasave.
Organizimi i finaleve të një Europiani në fakt tejkalon pa asnjë dyshim dhe organizimin e jashtëzakonshëm të finales së parë historike të UEFA Conference League, AS Roma – Feynoord, majin e vitit të kaluar në Tiranë.
Duke iu referuar dosjes së aplikimit, FSHF ka parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në stadiumet “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”.
Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe.
Stadiumi “Air Albania” është edhe xhevahiri i infrastrukturës sportive në Shqipëri i inauguruar në nëntor të vitit 2019 me një kapacitet prej rreth 22 mijë vendesh dhe i kategorisë 4 të UEFA-s. Një impiant që ofron të gjitha kriteret për të pritur ndeshje të nivelit të lartë, me fushën me bar natyral e që ka të gjitha facilitetet e duhura në të gjitha aspektet, qoftë sportive, sigurisë apo edhe atë mediatike. Aktualisht pret ndeshjet e ekipeve Kombëtare si edhe ndeshje të kampionatit kur luajnë ekipet kryeqytetase.
Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës është rindërtuar nga e para në vitin 2016, fushën me bar natyral dhe ka një kapacitet prej rreth 16 mijë vendesh. Pas “Air Albania” është padyshim impianti më i mirë në Shqipëri dhe mund të presë gjithashtu ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, pasi gjithashtu i plotëson të gjitha kriteret. Është një nga veprat më të mira infrastrukturore në veriun e vendit dhe shtëpia e klubit Vllaznia.
I treti qoftë edhe për nga rëndësia është “Elbasan Arena”, një tjetër stadium i ndërtuar nga e para në vitin 2015 e që ka pritur ndeshje historike të Kombëtares apo edhe të kampionatit shqiptar. Impianti ka fushë me bar natyral dhe një kapacitet prej afërsisht 13 mijë vendesh. Është nga stadiumet e para në Shqipëri që u rindërtua pas viteve ‘90 duke ofruar kushte moderne e që plotësonte asokohe çdo kriter të UEFA-s.
Stadiumi i katërt i përfshirë në aplikim është “Egnatia Arena” i Rrogozhinës, i rindërtuar vetëm dy vite më parë me një kapacitet aktualisht prej 2400 vendesh, fushë me bar natyral, e që ka nevojë për disa ndërhyrje në mënyrë që të plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara nga UEFA. Investimet sakaq janë parashikuar që të kryhen së shpejti.
Për pritjen e një kompeticioni të tillë gjithashtu kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në qarqet Tiranë e Durrës, për arsye të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Më konkretisht fushat e ofruar për stërvitjen e ekipeve finaliste janë Shtëpia e Futbollit, stadiumi “Selman Stërmasi”, kompleksi “Skënder Halili”, stadiumi Kamza, stadiumi “Tofik Jashari”, kompleksi Tropikal, stadiumi “Niko Dovana” dhe stadiumi Luzi i Vogël. Të gjitha këto impiante ofrojnë fusha me bar natyral, ndërkohë që në rastin e marrjen së të drejtës për organizimin e një turneu kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturë. Përveç stadiumeve veçanërisht duhen ndërhyrje në fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në disa prej impianteve të sipërpërmendura.
Për momentin, e gjithë vëmendja është nga UEFA, që mund t’i japë një lajm të shkëlqyer për FSHF-në dhe Shqipërinë më datën 26 shtator. /FSHF