Finale titulli, fundjava sjell përballje të zjarrta në Angli, Spanjë e Itali

schedule15:59 - 7 Maj, 2021

schedule 15:59 - 7 Maj, 2021

Gjithçka ose asgjë! Kjo fundjavë rezervon sfida që mund të përcaktojnë  fatet e gjithë sezonit për skuadrat kryesorë të Evropës. Në Angli luhet finalja e parakohshme e Championsit, ku Manchester City pret në “Etihat Stadium” Chelsea e Tuchel.

Ekipi i Guardiolës thuajse e ka siguruar titullin kampion, pasi ka një diferencë prej 13 pikësh nga Manchester United i vendit të dytë. Ndërkohë, “Blutë e Londrës” ndodhen në vendin e katërt, pozicion që të dërgon në Champions League.

Djemtë e Tuchel triumfuan ndaj “Cityzens” disa ditë më parë në FA Cup, duke rrëmbyer trofeun e parë sezonal. Një sfidë që nis të shtunën prej orës 18:30, spektakli është i garantuar, teksa kjo përballje është një test për trajnerët përpara finales së 29 majit në Champions League.

Një finale titulli luhet në Spanjë. Kur duhen edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit, plot 4 ekipe janë pretendente për të marrë kreun e renditjes. Të shtunën, duke nisur prej orës 16:15, Barcelona përballet me Atleticon kryesuese në “Camp Nou”.

Një fitore e vendasve do sillte kalimin e ekipit katalanas në krye, me një pikë më shumë se “Colchoneros”. Pesë orë më vonë , një tjetër supersfidë luhet në Madrid, aty ku Reali pret në shtëpi Sevillan e vendit të katërt. “Los Blancos” kërkojnë të marrin tre pikët në këtë sfidë dhe shpresojnë që rivalët e qytetit të ndalen në barazim ose të munden nga Barça, në mënyrë që të marrin kreun e renditjes.

Juventus dhe Milan luajnë sezonin në Serie A. Në lojë është një biletë në Champions, por në sfond ka edhe më shumë, duke qenë se një vend mes katër të parave të kampionatit garanton 50 milionë euro me pjesëmarrjen në Champions.

Dueli i kësaj të diele (20:45) mund të ketë influencën e vet dhe në projektin e lëvizjeve në merkato, që nga e ardhmja e Cristiano Ronaldos e Donnarumes, e deri te fatet e trajnerëve Pirlo e Pioli. Për bardhezinjtë një sezon pa Championsin do të ishte një falimentim sportiv, i vështirë për t’u menaxhuar.

Po kuqezinjtë? Nga pretendentë për titullin kampion, tashmë janë pretendentë për një vend në Champions. Pas shumë investimeve të fondit Elliot, ky është sezoni ku mund të konkretizojnë projektin dhe të kthehen në elitë. /abcnews.al