Finale klasike në Euro 2023 për grupmoshat U-21, Anglia dhe Spanja “përplasin brirët”

schedule11:41 - 6 Korrik, 2023

schedule 11:41 - 6 Korrik, 2023

Surprizat ishin të shumta, por jo për aktin e fundit. Dy fuqi klasike të futbollit do të diskutojnë titullin në Euro 2023, e këto janë Spanja dhe Anglia.

Në turneun që po zhvillohet në Lindje të kontinentit, në Rumani e Gjeorgji, iberikët shkatërruan 5-1 Ukrainën, ndërsa ishullorët ia dolën pastër 3-0 kundër Izraelit. Spanja e trajnerit Santi Denia dha spektaklin në stadiumin e Steauas së Bukureshtit në Rumani, edhe pse pësoi gol e para.

Pasi Bondarenko realizoi për ukrainasit, filloi festivali spanjoll me rrjeta nga Ruiz, Sanset, Blanko, Oroz dhe Gomez. Iberikët janë rekordmenë të titujve në këtë nivel duke pasur 5 të fituar, po aq sa Italia që këtë herë nuk e ndoqi dot hapin e më të mirëve. Se çfarë niveli kanë pasur “Furitë e Kuqe” në kampionatet europiane U21 mjafton të thuhet se kanë fituar 3 tituj në 12 vitet e fundit.

Anglia po ashtu nuk pati probleme me izraelitët. Gradualisht, por me vendosmëri, “tre luanët” e rinj realizuan me Gibs-Uajtin, Palmerin dhe Arçerin.

A mundet që ishullorët të triumfojnë këtë herë?

Shpikësit e futbollit e kanë harruar edhe vetë se kur e kanë fituar titullin e fundit për 21-vjeçarët, gjë që ka ndodhur në 1984, plot 40 vite më parë. Tashmë e largët edhe sfida fundore e humbur ndaj Gjermanisë në 2009, por gjithsesi anglezët e rinj të trajnerit Li Karslej janë ambiciozë.

Finalja Angli-Spanjë do të luhet të shtunën në stadiumin e Batumit në Gjeorgji./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!