Fillimet e karrierës, Kombëtarja e deri te mundësia e tërheqjes nga futbolli, rrëfehet Sokol Cikalleshi

schedule08:56 - 12 Maj, 2022

schedule 08:56 - 12 Maj, 2022

Futbollisti i njohur, Sokol Cikalleshi dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu shumë detaje nga jeta personale dhe profesionale. Ai rrëfeu fillimet e tij të vështira në sport për t’u bërë më pas një ndër yjet më të mirë të fushës së blertë në vend.

Futbollisti foli për emocionet që ka përjetuar në Kombëtaren, pjesë e së cilës është prej 8 vitesh. “U bënë 8 vite në Kombëtare dhe kënaqësia vazhdon. Do të theksoja fillimet janë më emocionuese. Ishte kënaqësi e madhe kur kam veshur fanellën kuq e zi. Kënaqësinë që ta jep Kombëtarja nuk ta jep klubi.”, tha ai.

Futbollisti rrëfeu dhe raportet që ka pasur me trajnerët, De Biassi dhe Reja. “Përpara se të shkoja në Kroaci mora një ftesë nga De Biassi. Kemi kaluar shumë mirë. Në kohën e De Biass-it i kam rënë shumë shtyllave. Çuditërisht çdo goditje e imja shkonte në shtyllë. U bë një ngarkesë psikologjike për mua.

Me Reja-n kam arritur që të shënoj shumë. Kurse me Reja-n jam ndjerë shumë mirë sepse me golat që kam shënuar dhe ekipi ka fituar disa ndeshje. Me De Diassin kemi kaluar një pjesë të bukur të historisë së kombëtares, ishte një rrugëtim i gjatë”, tha mes të tjerash ai.

Futbollisti ndodhet në Turqi prej disa vitesh ku luan me Konyaspor. Sigurisht bashkë me të është dhe bashkëshortja dhe vajza e tyre e vogël 4 vjeçare. Por a ka menduar që të bëhet trajner? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Sokoli foli dhe për mundësinë e tërheqjes nga futbolli.

“Kam pasur një hov tjetër në karrierë pas moshës 30 vjeçare me ekipin në Turqi. Jam ambientuar këtu. Familja ime ndihet mirë këtu sepse kultura turke është si e jona dhe ndihemi komod. Kam dy vite kontratë me Konyaspor.

Avash avash vjen mosha për t’u tërhequr nga futbolli. Nuk është vetëm nga ana e futbollit por fillon një jetë që janë më të rëndësishme disa gjëra si familja, edukimi i fëmijëve. Unë dhe gruaja kemi dëshirë që vajza të fillojë shkollën në Shqipëri.

Për momentin nuk e mendoj trajnerin. Kemi synime si familje që të kthehemi në Shqipëri. Jetës nuk i dihet sepse në çdo moment mund të ndodhë një ofertë tjetër.”, tha ai. Duke folur për bashkëshorten, futbollisti tha se është krahu i tij i djathtë dhe se ka sakrifikuar shumë për karrierën e tij. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!