Një ngjarje e rëndë është shënuar në Filipine ku 3 persona kanë ndërruar jetë dhe të paktën 32 persona po marrin kujdes spitalor pas konsumit të një gatimi me breshkë deti.
Viktimat, shumica nga komuniteti indigjen Teduray, filluan të shfaqin simptoma të tilla si diarre, të vjella dhe spazma abdominale pasi konsumuan këtë pjatë javën e kaluar në një qytet bregdetar në Provincën Maguindanao del Norte.
Megjithëse gjuetia dhe konsumimi i breshkave deti është i paligjshëm sipas ligjeve të mbrojtjes së mjedisit në Filipine, ato përbëjnë një gatim tradicional të zonës.
Datu Mohamad Sinsuat Jr, një këshilltar lokal, tha se ka urdhëruar zyrtarët lokalë të zbatojnë rreptësisht ndalimin e gjuetisë së breshkave deti në rajon, duke shprehur me bindje se “ky incident helmimi me ushqim nuk do të ndodhë më kurrë.”
Shumica e specieve të breshkave deti janë të klasifikuara si të rrezikuara dhe është e paligjshme në Filipine të mblidhen, dëmtohen ose vriten ato. Megjithatë, breshkat deti gjuetohen në disa kultura për mishin dhe vezët e tyre, të cilat besohet se kanë veti medicinale.
Në vitin 2013, 68 persona në Provincën Eastern Samar të Filipine u sëmurën ku 4 prej tyre ndërruan jetë pas konsumimit të një breshke deti të gjetur pranë fshatit të tyre. /abcnews.al