Real Madrid ka pasur gjithmonë skuadra të forta, por “galaktikët” e viteve të para të mijëvjeçarit të ri mbeten të paharruar. Në skuadrën e Del Bosque luanin emra si Ronaldo, Zinedine Zidane, Luis Figo, Raul, David Beckham, Roberto Carlos, Guti dhe Iker Casillas.
Spektakli ishte i garantuar, njësoj si urrejtja e madhe e kundërshtarëve. Luis Figo mbahet mend për klasin e madh dhe tradhëtinë ndaj Barcelonës. Portugezi, i cili la katalanasit në verën e vitit 2000 dhe kaloi te “Los Blancos, kujton kohët e arta në një bisedë të bërë me miqtë e tij në rrjetet sociale.
“Të gjitha vitet që kemi kaluar së bashku kanë qenë të veçanta. Atmosfera ishte e shkëlqyer dhe kishim shumë talente në skuadër. Secili e dinte rolin e tij në fushë dhe pozicionin në klub. Kemi përjetuar momente të bukura. Patëm shansin të shihnim shumë talente, por edhe plot njerëz të bukur.
Nuk vjen më kohë si ajo e skuadrës galaktike. Futbolli është i paparashikueshëm dhe transmeton shumë pasiguri, kjo është arsyeja pse është kaq i bukur. Në disa stadiume donin të na vrisnin, ashtu siç ndodhte në Pamplona (Osasuna)”, përfundon Luis Figo. /abcnews.al