“FIFA The Best”, ja për cilin votuan tekniku Sylvinho dhe kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti

schedule23:26 - 15 Janar, 2024

schedule 23:26 - 15 Janar, 2024

“Pleshti” argjentinas, Lionel Messi ka fituar mbrëmjen e kësaj të hëne, për herë të tetë në karrierën e tij çmimin “The Best” që jepet nga FIFA si lojtari më i mirë për vitin 2023, edhe pse ky vit nuk ishte aq i suksesshëm për argjentinasin në aspektin personal, ai është votuar nga shumica nëpërmjet votave të trajnerëve dhe kapitenëve të kombëtareve, gazetarëve nga çdo shtet anëtar i FIFA-s si dhe vota e publikut.

Sa u përket votave nga Shqipëria, kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i ka dhënë pikërisht argjentinasit vendin e parë në votim, duke zgjedhur “Vikingun”, Erling Haaland të dytin dhe “shkatërruesin” spanjoll, Rodri të tretin.

Vota e kapitenëve ishte ajo që vendosi balotazhin mes “Pleshtit” e “Vikingut”, pasi të dy kishin pikë të barabarta por argjentinasi mori më shumë zgjedhje të para nga kapitenët.

Në krahun tjetër, tekniku Sylvinho zgjodhi norvegjezin të parin, argjentinasin të dytin dhe belgun, Kevin De Bruyne të tretin në renditjen e tij për këtë çmim, ndërsa gazetari Endi Tufa zgjodhi Messi-n të parin, e më pas “bomberin”, Erling Haaland të dytin dhe Kylian Mbappe të tretin, në atë që ishte radha në të cilën më pas përfundoi votimi për këtë edicion. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!