Fieri në protestë kundër dhunës së grave, mësues e nxënës thirrje për mbështetje ndaj vajzave të mitura

schedule15:33 - 25 Maj, 2021

schedule 15:33 - 25 Maj, 2021

Nxënës e mësues të shkollës së mesme “Janaq Kilica” në Fier protestuan kundër rasteve të dhunës seksuale që po shtohen në vendin tonë.

Me pankarta në duar dhe thirrje, të rinjtë shprehën mbështetjen e tyre ndaj 15 vjeçares nga fshati Tarazh i Mirditës, e cila u abuzua seksualisht nga 5 persona.

“Jemi këtu për t’i thënë jo atyre që kanë bërë këtë masakër sepse nuk ka fjalë të përshkruhet se sa e tmerrshme është”, u shpreh një protestuese.

“Kemi dalë nxënës dhe mësues në mbrojtje të fëmijëve tanë. Jemi jo vetëm si edukatorë, por edhe si prindër dhe duam që në shoqërinë shqiptare të rinjtë të rriten të lirë”, u shpreh një tjetër protestuese.

Sipas tyre shkaku kryesor është mentaliteti në zonat e thella.

Sipas tyre kjo ka bërë që shumë histori të tjera, të mbeten të padenoncuara.

“ Kemi dëgjuar shumë raste  , por shumë njerëz  kanë frikë të flasin, sepse mund të ndjehen të bullizuar apo të frikësuar”, tha një tjetër nxënëse e cila ishte në proteste.

E mitura nga fshati Tarazh i Mirditës u abuzua seksualisht nga 5 persona për disa javë me radhë, të cilët e shantazhuan atë me video intime.

Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Trazhi 30 vjeç, Nikë Lleshi 44 vjeç dhe 17-vjeçari me inicialet A.Xh u lanë në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ndaj tyre është ngritur akuza “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!