Për shumë kohë para viteve 90-të, Myzeqeja e Fierit ka qenë nga zonat me më prodhim në bujqësi. Por më pas aty fshatarët fitonin aq sa për të mos lënë tokat djerrë, pa fitim dhe me kosto. Një nga shkaqet ka qenë dhe është sistemi i shkatërruar i bonifikimit.
Janë të mbuluara nga shkurret për shumë vjet. Lumenj dhe kanale në Myzeqe u zhdukën. Kurse për banorët ishin kthyer në makth. Në dimër përmbytej çdo gjë, shtëpi e toka, kurse në verë i zhuriste thatësira. Vendasit janë habitur kur kanë parë eksavatorët e bashkisë.
“Po kanë mbi 30 vjet pa u pastruar. Tani kjo është e paarritshme edhe fermerët nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh, është e habitshme”.
Bilancet e përvitshme të përmbytjeve kanë qenë katastrofike për Fierin. Një sistem bonifikimi i shkatërruar totalisht dhe bashkë me të edhe bujqësia.
“Situata ka qenë shumë e keqe. Këta i kanë lënë 40 vjet pa u pastruar dhe fshati derdhte ujërat e zeza”.
Entela Kola – Drejtore e Bordit te Kullimit Bashkia Fier: “Ka që në 2016 dhe kemi gjetur një sistem ujitje dhe kullimi totalisht të shkatërruar”.
Por pavarësisht faktit që ka tentativë për të përmbysur një histori të dhimbshme për sistemin bonifikues të Fierit, ky investim nuk do të ketë asnjë vlerë, nëse nuk ringrihet i gjithë sistemi vaditës kullues.
“Duhet të jenë pastruar gjithë kanalet kryesore”.
Fermerët në Fier merren me prodhime bujqësore, por edhe me vreshta. Nëse vërtet aty do të ndërtohet një sistem i tërë kullimi dhe vaditje, jeta për banorët do të bëhet edhe më e lehtë. /ABC News Albania 24/7