Fier/ Dhunohet efektivi i burgjeve, u godit me sende të forta nga një person i maskuar

schedule11:31 - 2 Maj, 2024

schedule 11:31 - 2 Maj, 2024

Policia nuk e ka identifikuar ende personin që dhunoi mbrëmjen e të martës efektivin e burgut të Fierit.

Në dëshminë e tij dhënë në komisariat, Nazmi Doko ka deklaruar se është goditur disa herë në kokë dhe trup me zinxhir rreth orës 21 teksa po hynte në pallatin ku banon në lagjen “1 Maji” te qytetit.

Efektivi 64 vjeçar ka thënë ndër të tjera se nuk ka mundur ta njoh agresorin pasi ka qenë i maskuar por ka mundur të shohë se është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “passat”.

Dyshimet janë se efektivi është sulmuar për shkak të detyrës që ushtron prej vitesh në burgun e Fierit.

Për të identifikuar autorin, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë pranë pallatit ku banon efektivi ndërsa janë marrë në pyetje familjarë e kolegë të tij.

Për shkak të plagëve të marra, efektivi i burgjeve ndodhet ende në spitalin e fierit nga ku burime thanë se është jashtë rrezikut për jetën.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!