Fidel Ylli i prerë: Nisni kampionatin dhe takohemi me kryeministrin Rama

schedule13:50 - 21 Shtator, 2020

schedule 13:50 - 21 Shtator, 2020

Liga e Futbollit Profesionist ka zhvilluar takimin e radhës ditën e sotme, në stadiumin “Air Albania”. Veç përfaqësuesve të klubeve të Superiores, në takim ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli.

Kryeministri Rama e ka ngarkuar atë për të negociuar me klubet, që kanë vendosur katër kushte për qeverinë në mënyrë që të rikthehen në fushën e blertë. Pas takimit, deputeti socialist tha këto fjalë për mediat:

FIDEL YLLI – “Mendoj se është vullneti i kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit që kërkesat e Ligës të kemi mundësi t’i realizojmë. Nuk po them se sa %, janë ca gjëra teknike që duhet t’i flasim me Ministrinë e Financave dhe me specialistë të ndryshëm, por dëshira është e njëjtë.

Liga? Ata duan të vazhdojnë bojkotin. Kërkesa ime, e imja jo e qeverisë, është që nuk mund të negociojnë me kryeministrin duke pasur bojkot. Duhet të filloni kampionatin dhe të jeni të bindur që jam këtu si i dërguari i kryeministrit për zgjidhjen e problemit.

Të jeni të bindur që një përfaqësi nga ju, shumë shpejt duke parë agjendën e kryeministrit, do të jemi në zyrat e qeverisë për të folur me detaje, edhe me ministrin e Financave (do të flas me të që sot) por edhe kryeministrin, që topin e futbollit ta kthejmë në fushë javën tjetër.

Takimi ishte shumë i frytshëm, pati debate por jo aq të ashpra. Unë jam pjesë e sportit, kështu që jam dakord me ta, jam dakord me kërkesat e tyre, por nuk jam specialist i financave, është ministria e Financave që do të japë viston përfundimtare.

Duke qenë në krah të tyre dhe pjesë e sportit, bashkë me grupin negociator që do të ngremë, do të jemi shumë shpejt në zyrat e qeverisë, Ky bojkot është i mirë për të gjithë sportin. Paketa fiskale do t’i bashkohet edhe disa ligjeve të tjera që kemi, sporti do të futet në rrugë të drejtë.

Sporti duhet të jetë ose shoqëri aksionere ose shoqatë, sipas ligjit të sportit që kemi bërë. Nuk duhet të jetë i varur nga bashkia. Një bashki diskriminon një sportist elitar, një bashki që e ka sportin në Kategori të dytë jep 500 mijë euro. Kjo është e pafalshme. Ne do e zgjidhim nëpërmjet kësaj reforme.

Do të dyfishohen buxhetet e sportit këtë vit. Me 50% çdo bashki do të bëjë infrastrukturë. Qeveria që ditën e parë ka qenë e gatshme. Hapi i radhës? Liga ka mendimet e saj, ka të drejtën e vet të bojkotojë. Do të ecim shumë shpejt që këto kërkesa t’i vëmë në zbatim.

Nëse ata e fillojnë kampionatin, atmosfera dhe kryeministri do të jetë shumë herë më i gatshëm dhe i predispozuar të gjejë hapësirë në agjendën e tij të ngjeshur, që të presë grupin e punës dhe negociatorin e tij për t’i dhënë zgjidhje problemeve“, deklaron Ylli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!