Festimi i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

schedule19:05 - 28 Qershor, 2022

schedule 19:05 - 28 Qershor, 2022

Në 15 vjetorin e vizitës së Presidentit George W. Bush në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, me mbështetjen e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, organizoi më 28 qershor konferencën përkujtimore “Vizita e parë historike e një Presidenti Amerikan në Shqipëri”.

Kjo veprimtari, e zhvilluar edhe në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, kishte për qëllim të risillte jehonën e merituar të një vizite unike në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe të mbështetjes vendimtare që Presidenti Bush dha nga Tirana për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Siç vuri në dukje në fjalën e tij çelëse Besnik Mustafaj, President i Këshillit të Ambasadorëve, ne nuk synojmë me këtë rast ta shkruajmë dhe as ta rishkruajmë historinë, por të ushqejmë kujtesën e shqiptarëve. Vizita e Presidentit Bush në Tiranë nuk qe e rastësishme, por ishte rezultat i orientimit të qartë euro-atlantik dhe drejt vlerave demokratike perëndimore.

Folësit ishin nga Tirana, nga Prishtina dhe nga SHBA, ish-diplomatë të lartë apo studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Një përshëndetje të veçantë përcolli Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë nëpërmjet Presidentit të tij, ambasadorit Timothy Ҫorba dhe zv Presidentit ambassador Philip Hughes ku theksohej: “15 vite më parë,  Presidenti George W. Bush zhvilloi vizitën e parë të një Presidenti amerikan në Shqipëri. Vërshimi i ndjenjave pro-amerikane në Sheshin Skënderbej, pak metra nga ku po zhvilloni takimin tuaj, ishte vërtet mbresëlënës dhe preku fort zemrat e popullit amerikan”.

Ndërsa eksperti i njohur Profesor Daniel Server nga Instituti për Politikë të Jashtme në Uashington, në videomesazhin e tij vuri në dukje se: “Vizita e Presidentit Bush ishte vlerësim i përkushtimit tuaj ndaj Perëndimit dhe një nxitje për të vazhduar në rrugën euroatlantike”. Në këtë frymë u sollën përvoja dhe analiza të pasura lidhur me ndikimin vendimtar që pati kjo vizitë e Presidentit Bush në perspektivën euroatlantike të Shqipërisë, të Kosovës e të krejt rajonit tonë.

Shqipëria në NATO nuk ishte një dhuratë, por rezultat i tri arritjeve kryesore: vendosmëria për të qendruar në kursin euro-atlantik, reformat e thella për transformimin demokratik të vendit dhe partneriteti i ngushtë strategjik me ShBA-të.

Duke tërhequr vëmendjen veçanërisht tek etapat që përshkoi procesi i antarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe angazhimin ndër vite të qeverive shqiptare, ish – ministrja e jashtme Arta Dade theksoi rëndësinë e madhe që ka ky fakt sot në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë. “Kërcënimi serioz që paraqet sot agresioni i pajistifikueshëm i Rusisë kundër Ukrainës ka nxitur vende si Suedia dhe Finlanda që t’i bashkohen NATO-s, ndërkohë që Shqipëria gjendet brenda këtij perimetri sigurie”, theksoi znj. Dade.

Më tej Frank Shkreli, ish-drejtor për euroazinë asokohe në “Zërin e Amerikës”, përshkroi jehonën e gjerë të kësaj vizite në mediat amerikane si rrjedhim edhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ai theksoi se pro-amerikanizmi ndër shqiptarët duhet të përkthehet në përkushtim dhe përqafim të vlerave që përfaqëson SHBA, si demokracia më e madhe dhe e fortë në glob.

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, në kumtesën e saj, u shpreh se për rrugën e pakthyeshme drejt pavarësisë ishte jetike krijimi i aleancave strategjike, ruajtja e të cilave është po aq e mundimshme dhe e domosdoshme. Ajo nënvizoi se shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vendeve tona është forcimi i institucioneve, shtetit ligjor dhe zhvillimit të ekonomisë.

Në po këtë temë u përqendrua edhe Dr. Albert Rakipi, drejtor i Institutit Shqiptar për Marrëdhenie Ndërkombëtare, i cili theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe në 30 vite, pas rrëzimit të diktaturës.

Sa i përket Kosovës, ai vuri në dukje se Presidenti Bush shpalli nga Tirana fundin e statuskuosë së rrezikshme, duke vendosur qartë për pavarësinë, ndërkohë që BE duhet të bëjë të njëjtën gjë sa i përket dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Ndërsa Avni Spahiu, ish-ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, vlerësoi politikën konsistente amerikane që me ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund genocidit, me mbështetjen për shpalljen e pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare, dhe në vijim me ndihmën e jashtëzakonshme të qeverisë amerikane për forcimin e shtetit të Kosovës.

Ambasador Arben Cici ndau momente të organizimit shtetëror në funksion të realizimit në mënyrën më të përsosur të vizitës së Presidentit. Ai rrëfeu momentet emocionuese të Presidentit Bush në Fushë Krujë kur doli jashtë protokollit zyrtar për të takuar turmat e njerëzve që kishin dalë për ta përshëndetur.

Gjithashtu edhe ish Ambasadori ynë në OKB Adrian Neritani solli kujtime lidhur me jehonen pozitive që solli kjo vizitë në qarqet diplomatike atje.

Ambasador Gashi ndau me pjesëmarrësit jehonën e jashtëzakonshme që vizita e Presidentit Bush në Tiranë pati në diasporën shqiptare. Z. Gashi theksoi rëndësinë e veçantë që pati vizita për mërgatën shqiptare në ShBA, si dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, ndër dekada, përmes Vatrës dhe Diellit, për forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane.

Ambasador Gashi solli gjithashtu kujtime nga ngritja e qendrës së akreditimit të medias ndërkombëtare, nën kujdesin e veçantë të ish Kryeministrit Sali Berisha. Kjo qendër regjistroi 683 gazetarë e korrespondentë nga e gjithë bota që ndoqën drejtpërdrejt këtë vizitë historike. /albanianambassadors.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!