Festimet për pavarësinë/ Nënkryetari i komunës së Ulqinit: Shqipëria dhe Kosova duhet të na mbështesin për trashëgiminë kulturore

schedule17:49 - 28 Nëntor, 2023

schedule 17:49 - 28 Nëntor, 2023

Nënkryetari i komunës së Ulqinit, Sabri Salaj, në një intervistë për “Newsline” me gazetaren Viol Xhafaj theksoi se në paradën e madhe, të mbajtur sot në Tiranë, prezantuan larmishmërinë e madhe të kostumeve tradicionale të trevave shqiptare në Mal të Zi që janë ruajtur brez pas brezi me fanatizëm.

“Ishte një larmishmëri e madhe e kostumeve tona që i kemi ruajtur brea pas brezi dhe i prezantuam në shesh. Festa është emocion që nuk mund të përshkruhet për shkak se është identiteti jonë kombëtar pavarësisht ku jetojmë. Gjithmonë është festuar në Ulqin pavarësisht nëse na është lejuar apo jo por këtë vit Këshilli Kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi bënë një mbrëmje në nder të festës.”, u shpreh ai.

Ai theksoi se shqiptarët si individë kanë arritur shumë në botë por shtoi se është e nevojshme “për një bashkim kolektiv dhe ky lloj bashkimi në këtë lloj festash, tregon se shqiptarët duhet të japin një kontribut të madh jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë trojeve.”

Ai theksoi gjithashtu se komuna e Ulqinit duhet të përkrahet nga Kosova dhe Shqipëria në aspektin e trashëgimisë kulturore.

“Bashkëpunimet janë në vazhdimësi duke ndodhur ndërmjet dy qeverive, së Malit të Zi dhe Shqipërisë por po flas në aspektin e kombit, e shqiptarëve që jemi atje, ka nevojë për aspektin kulturor të punohet më tepër dhe më pas në atë ekonomik.“, u shpreh Salaj./abcnews.al