Festë me drogë në Vilë-Bashtovë, organizatori: Po bëjmë qejf

schedule16:18 - 11 Shtator, 2021

schedule 16:18 - 11 Shtator, 2021

Nga Aldo Kozarja

Këta janë turistët më të veçantë, në brigjet shqiptare. Ata rikthehen për të 2-tin vit radhazi në plazhin e Vilë-Bashtovës. “Ileghal Techno” quhet eventi i tyre. Ky lloj eventi njihet për mënyrën e shfrenuar të festës së të rinjve që marrin pjesë në të. Është ora 02:00 e mëngjesit  dhe siç shihet qartë nga pamjet, të rinjtë kalojnë çdo limit pa i shqetësuar askush. “Në Shqipëri nuk ka burokraci të shëmtuar si në Itali. Këtu në Shqipëri është më qetë” tha njëri prej tyre.

Larg vëmendjes së pushuesve ditor por dhe duke thyer orën policore në Shqipëri, ata konsumojnë edhe lëndë narkotike. Mes tyre ka edhe shqiptarë. Gazetari i “ABC” Aldo Kozarja iu drejtua njërit prej organizatorëve të këtij aktiviteti që në fakt zhvillohet pas orarit të lejuar siç është ora policore, e cila të gjithë shqiptarët i vendos brenda shtëpive ndërsa këtu ndodh e kundërta, këtu ka jetë. Ka substanca narkotike.

Këto substanca narkotike, shumica i marrin nga vendet ku vijnë vetë. Përdoren lëndë narkotike të ndryshme, të drogave të forta, LSD, ketamina e shumë e shumë të tjera, kurse në Shqipëri mund të gjejmë diçka të vogël. Hyn nga vendet ku janë organizatorët e tjerë dhe hyjnë në kufirin shqiptar dhe konsumohet këtu. Gjithkush nga ne kërkon qetësinë e vet dhe nuk ka shqetësime as nga policia, nga shteti. Mund të konsumosh çfarë të duash, mund të rrish të bësh qejfit tënd” tha ai.

Ai tregon se si njoftohen pjesëmarrësit mes tyre. “Ne njoftohemi përmes e-maile-ve. Nxjerrim lajmërimin dhe vendin ku do bëhet në Shqipëri, por nuk nxjerrim vendin ekzakt siç jemi këtu në plazhin e Vilë Bashtovës. Kjo për shkak se në rrjetet sociale apo në internet mund të bëhet shumë e dukshme dhe mund të kemi probleme me policinë apo me shtetin. Në mënyrë të fshehur gjithçka bëhet më mirë” tha ai.

Për shkeljen e orës policore apo konsumimin e lëndës narkotike, autoritetet vendore dhe ato të rendit, me sa duket janë në dijeni. “Është ora 1 e mëngjesit, pas krahëve të mi është makina e patrullës së policisë. Ajo është dislokuar në këtë zonë për shkak të mbërritjes së qindra të rinjve të cilët buzë bregdetit të Vilë Boshtovës janë duke zhvilluar party me muzikë në maksimum, madje ruhen edhe nga forcat e policisë shqiptare” raporton gazetari Aldo Kozarja.

“Ileghal Techno” është një festë e paligjshme, që zhvillohet në Romë prej kohësh. Aty marrin pjesë të rinj nga e gjithë Europa.  Jo më larg se një muaj më parë, një 25 vjeçar, i lindur në Londër, me banim në veri të Italisë, mori pjesë në këtë festë. Ai u gjet i vdekur nga overdoza, në një liqen pranë Viterbo./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!