“Festë e luftës”/ BBC: Konflikti i armatosur hedh hije mbi Fitër Bajramin në Gaza

schedule21:41 - 10 Prill, 2024

schedule 21:41 - 10 Prill, 2024

Nga David Gritten dhe Rushdi Abu Alouf ; BBC

Na mungon atmosfera e gëzueshme e Bajramit. Nuk ndihemi aspak të gjallë”, kështu shprehet palestinezët të strehuar në qytetin jugor të Rafahut. Mes sulmeve dhe luftës që ka përfshirë Izraelin dhe Hamasin ata tregojnë këtë vit janë gjendur përballë vështirësive, humbjes së familjarëve të tyre dhe shkatërrimit të vendit si pasojë e luftës.

Tala Abu Amr, një vajzë shtatë vjeçare që jeton në një kamp ku janë vendosur palestinezët e zhvendosur në Rafah në Rripin jugor të Gazës, ka treguar se është e trishtuar, pasi këtë Bajram ajo dhe bashkëmoshatarë të saj nuk kanë lodra.

Fitër Bajrami është zakonisht një periudhë e festës së madhe për myslimanët pas një muaji agjërimi, me familjet dhe miqtë që mblidhen së bashku dhe ndajnë vakte të mëdha. Është gjithashtu e zakonshme që fëmijët të marrin para ose dhurata nga të moshuarit e tyre, shkruan BBC.

Por këtë vit shumë familje janë të shkatërruara, nga konflikti në Lindjen e Mesme, me më shumë se 33,400 njerëz të vrarë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Të dhëna këto të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, shkruan BBC.

Rreth 1.7 milionë njerëz, gjysma e tyre fëmijë janë detyruar gjithashtu të largohen nga shtëpitë e tyre dhe 1.1 milionë të tjerë po përballen me urinë katastrofike, pasi kanë shteruar furnizimet e tyre ushqimore dhe kapacitetet e tyre për t’u përballur, thotë OKB.

Lufta ka vendosur një ‘hije të zezë’ mbi të gjithë Gazën, saqë urimi për këtë vit dhe më i përhapuri ishte; “Nuk jemi mirë”.

Këtë vit rrugët ishin të mbushura vetëm me dhimbje dhe trishtim.

“Ne rrinim zgjuar gjithë natën, blinim ëmbëlsira dhe rroba të reja për fëmijët dhe faleshim në Xhaminë e Madhe. Fatkeqësisht, këtë vit po jetojmë në një tendë pa nevojat elementare të jetës,” tha Mohammed al-Barbari, 47 vjeç, babai i gjashtë fëmijëve nga Gaza, i cili ka ikur në Rafah.

Kjo është një festë e luftës. Si mund të gëzohemi dhe të festojmë kur ka njerëz të vrarë, të burgosur dhe të plagosur?, shprehen të tjerë qytetarë.

“Megjithë dhimbjen, shkatërrimin, zhvendosjen dhe granatimet e vazhdueshme nga ushtria izraelite, ne jemi një popull jetëdashës”, është shprehur Haroun al-Medallal.

Mohammed Abu Amer tha se ai po lutej për një armëpushim, pasi Hamasi konsideron një propozim nga ndërmjetësit në Kajro për një pauzë gjashtë-javore në luftimet që thuhet se do të përfshinte lirimin e 40 pengjeve.

“Shpresojmë që në ditët e Bajramit të mbizotërojë gëzimi, të gëzohen fëmijët dhe kjo luftë të marrë fund”, shtoi ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!