“Ferri” në fabrikën e çelikut, Zelensky: Rusët bombardojnë, por evakuimet do të vazhdojnë

schedule07:25 - 6 Maj, 2022

schedule 07:25 - 6 Maj, 2022

Operacionet për evakuimin e civilëve nga Mariupol do të vazhdojnë, por forcat ruse nuk kanë ndalur bombardimin e fabrikës së çelikut Azovstal, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij gjatë mesnatës. “Gra dhe shumë fëmijë janë ende atje”, tha ai.

OKB-ja tha se shpresonte të evakuonte më shumë civilë nga uzina Azovstal ku qindra besohet se fshihen në bunkerë, raporton BBC.

Fabrika e çelikut në Mariupol është pjesa e fundit e qytetit jugor që është ende në duart e trupave ukrainase.

Shefi i OKB-së Antonio Guterres tha se duhet bërë gjithçka për të nxjerrë njerëzit nga këto “peizazhe ferri”.

Të enjten, dy autokolona evakuuan rreth 500 njerëz nga uzina Azovstal, Mariupol dhe zonat përreth, tha ai.

Në fjalimin e tij, Zelensky u shpreh gjithashtu se kishte një mungesë katastrofike të aksesit në shërbimet mjekësore dhe ilaçet në zonat e vendit nën pushtimin rus.

Trupat ruse kanë shkatërruar ose dëmtuar rreth 400 institucione të kujdesit shëndetësor në Ukrainë, bëri të ditur ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!