Përfaqësuesi i Emergjencave Civile në Fier, Kreshnik Ymeraj, deklaroi se rreziku nga përmbytjet është larguar dhe situata aktuale është nën kontroll. Sipas tij, në fshatin Ferras u përmbytën 75 banesa dhe 18 persona u evakuuan përkohësisht, por tashmë janë rikthyer në shtëpitë e tyre pasi nuk ka më rrezik.
Ymeraj shtoi se po vijon tërheqja e ujit dhe se Bashkia e Fierit ka ngritur grupet e konstatimit për vlerësimin e dëmeve.
“ Kemi kaluar ditët e vështira. Është larguar rreziku për përmbytje të banesave dhe personave, ndërsa vijon tërheqja e ujit në drejtim të hidrovorit të Darëzezës. Rreziku ka qenë natën e kaluar, ku fshati Ferras ka pësuar dëmet më të mëdha, me 75 banesa të përmbytura.
Janë evakuuar 18 persona, të cilët janë rikthyer sërish në banesat e tyre, pasi në Ferras nuk ka më rrezik. Situata është menaxhuar në një nivel të lartë.
Kemi pasur 650 hektarë tokë nën ujë; mesditën e sotme uji është tërhequr, por ende nuk mund të shkohet në këto zona. Në Ferras, dëmet kanë qenë kryesisht në banesa dhe jo në biznese. Sipas informacioneve që kemi, Bashkia e Fierit ka ngritur grupet e konstatimit.” / abcnews.al /


