TIRANË– Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh, për të mbështetur me kredi sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Kjo sasi monetare do të shkojë në mbështesje të investimeve në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm dhe inovacion teknologjik.
Krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë, bujqësia vazhdon të jetë me e diskriminuara nga bankat, pasi nuk preferohet për të dhënë kredi për fermerët.
Presidenti i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi i ftuar në “Sheshi i Dollarit” në ABC News, u shpreh se bankat kanë “frikë” të mbështesin me kredi një sektor si bujqësia, pasi riksu për të humbur paratë e tyre mbetet i lartë.
“Kjo ndodh sepse bankat preferojnë të investojnë paratë e tyre në sektorë, të cilët janë shumë më të garantuar, më pak të riskuar. Preferojnë të financojnë në këto lloj gjerash dhe jo në sektorë, që punojnë me djersën e ballit dhe ku rreziku është gjithmonë permanent, sepse në bujqësi mjafton të kesh një situatë të papërshtatshme klimaterike, që gjërat të shkojnë për dreq”, tha ai.
Ai theksoi se këto politika, që pritet t’i aplikojë Shqipëria në sektorin e bujqësisë duhet të ishin ndërmarrë më herët.
“Bankat nuk e shohim me interes, sepse e shohin goxha të riskuar paranë e tyre në këtë lloj sektori. Do duhej që këto politika, duhet të ishin bërë më kohe, por jam i bindur se ka për të qenë një flluskë, ka për të dështuar, siç kanë dështuar dhe gjërat e tjera, Bankat janë shumë të ftohta, bankat janë biznes”, tha ai./abcnews.al