Fermerët polakë bllokojnë sërish kufirin me Gjermaninë, protestojnë kundër politikës bujqësore të BE

schedule09:58 - 19 Mars, 2024

schedule 09:58 - 19 Mars, 2024

Bllokadë e traktorëve në urën e Oderit. Fermerët polakë kanë protestuar prej javësh kundër politikës bujqësore të BE dhe importeve pa taksa nga Ukraina.

Prej ditës së hënë (18.03.) fermerët polakë kanë bllokuar edhe pikat kufitare me Gjermaninë, këtë herë për disa ditë.

Fermerët polakë kanë bllokuar sërish pikat kufitare me Gjermaninë. Ata përdorën traktorë për të bllokuar urën e autostradës midis qytetit polak Swiecko dhe Frankfurt (Oder). Nga protesta është bllokuar edhe pika kufitare e Gubinek-ut, pak më në jug. Qindra fermerë polakë janë mbledhur tani në zonën kufitare me makineritë e tyre të mëdha bujqësore.

“Bllokada filloi të dielën dhe do të vazhdojë deri të mërkurën në mbrëmje,” tha një zëdhënës i policisë lokale. Qindra traktorë lëviznin në autostradën polake A2 të dielën në mëngjes në drejtim të Siweckos dhe Oderit. Protesta masive të fermerëve janë planifikuar gjithashtu në të gjithë Poloninë edhe për të mërkurën.

Protestat shkaktojnë kufizime të konsiderueshme në trafik. Nga ana gjermane trafiku po devijohet nga autostrada para kufirit. Nuk është e mundur të hysh apo të largohesh nga vendi nëpërmjet autostradës, tha një zëdhënës i policisë.

Deri në 18:00 kamionë qarkullojnë çdo ditë në rrugën midis Berlinit dhe Varshavës. Personelin mjekësor dhe transportet speciale protestuesit duan t’i lënë të kalojnë. Një autokolonë mjetesh bujqësore lëviz vetëm në një autostradë. Në disa automjete ka parulla dhe flamuj polakë.

Pakënaqësi kundër politikës bujqësore të BE dhe importeve pa taksa

Me aksionin e tyre fermerët duan të protestojnë kundër rregulloreve mjedisore të Bashkimit Evropian. Ata gjithashtu kërkojnë rivendosjen e tarifave për importet bujqësore nga Ukraina. Nga viti 2022, fermerët e atjeshëm lejohen të importojnë drithërat e tyre në BE pa doganë, gjë që sipas mendimit të fermerëve polakë ndikon në rënien e çmimeve. Sipas organizatorëve të protestës, kjo është arsyeja pse ata nuk shesin dot më drithërat e tyre.

Një takim i zhvilluar të shtunën e kaluar mes përfaqësuesve të fermerëve polakë dhe kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, nuk çoi në asnjë marrëveshje. Ministri polak i Bujqësisë, Czeslaw Siekierski, dëshiron të takohet me përfaqësues të sektorit të martën, për të zhvilluar bisedime. Komisioni Evropian ka propozuar një lehtësim të rregulloreve mjedisore, të cilat ende duhet të debatohen nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

Protesta të përsëritura

Nuk është hera e parë që fermerët polakë bëjnë thirrje për këtë formë proteste. Ata protestojnë prej javësh, veçanërisht në lindje të vendit, ku po bllokojnë pikat kufitare me Ukrainën. Në fund të shkurtit u bllokua për herë të parë një pikë kufitare me Gjermaninë në Perëndim. Në atë kohë, protestuan edhe fermerët nga pala gjermane, në urën e qytetit të Frankfurtit (Oder) dhe në pikën kufitare Schwedt. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!