Fermerët e kulturave të ndryshme në qarkun e Gjirokastrës përballen me probleme, ku dy më kryesoret janë subvencioni dhe gjetja e tregut ku jo pak herë nuk kanë mundësi të shesin produktet e tyre.
Sali Kokoshi fermer në fshatin Nepravishtë, në tokën e tij ka mbjellë lajthi dhe ullinj.
Fitimi që merr nga këto kultura nuk është ai që priste. Problem si gjithnjë është mungesa e tregut.
“Është viti i katërt që mbjell lajthi dhe është e vështirë sepse treg nuk ka. Vijnë e na e marrin me 3 mijë lekë dhe nuk ia vlen vetë mbjellja dhe veshja, jo më punët e tjera. Duhen pesticidet, punimet, krasitje po ashtu edhe spërkatja dhe me gjithë këto llogaria nuk del gjëkundi. Unë i bëra 1 kuintal. Ku ta çoj?”, thotë ai.
Për subvencione nuk bëhet fjalë.
“Nuk kam aplikuar sepse fillimisht kur unë i mbolla kërkonin kushte të tjera. Kërkonin të blesh fidanë, ndërsa unë fidanë i bëra vetë dhe pa pasur faturë nuk përfitojë. Kështu që i bëra vetë”, thotë ai.
Edhe në fshatin Vanister për fermerët situate sa vjen e vështirësohet.
Fermeri Resul Pasha, tregon se futja në treg e produkteve nga jashtë vendit po çon në falimentim të tyre.
“Ka mungesë tregu. Domate e speca shkojnë të gjithë dëm. Ndikim po ashtu ka edhe edhe eksporti”, thotë ai.
Resul Pasha tregon për peripecitë që i janë dashur të kalojë për të përfituar subvencion për plasmasin e serave.
“Kemi bërë dokumentet, i kam noterizuar dhe i kemi çuar atje ku i kërkojnë, por si përfundim na kërkuan certifikatën e pronësisë që ka i zoti. Ai është në Greqi, por sërish ne ia arritëm dhe e morëm. Po tani kërkojnë origjinalen dhe problemi na hapet vetëm për këtë”, tregon Pasha.
Mbështetja nga shteti për fermerët është shumë i nevojshëm.
“Fermerët kanë nevojë për ndihmën e shtetit sepse çdo vit jemi duke u varfëruar. Sikur një ndihmë të kemi.. ne vijojmë normalisht punën dhe zgjerohemi”, thotë ai.
Problem mbetet edhe vaditja e tokave.
“Shteti ka bërë kanalin këtu. Është bërë me beton, pres të vijë ujë por ujë nuk ka. Uji derdhet në kanal gjithë natën, ikën në lum”, shprehet ai.
Bujqësia është një nga sektorët kyç në ekonominë e mjaft familjeve në zonat rurale të qarkut Gjirokastër, por mungesa politikave social ekonomike po penalizon këtë sektor./abcnews.al/