Ferhan Hasani e mbylli pas gjashtë muajsh aventurën me Partizanin, teksa luajti në Superiore 12 ndeshje dhe vetëm në një rast ishte titullar, kundër Skënderbeut në Korçë.
Buba ka folur për gazetarin e abcnews.al, Vladimir Prenga, pas njoftimit zyrtar të Partizanit për ndërprerjen e bashkëpunimit dhe pranon se largohet nga 16 herë kampionët e vendit prej trajnerit Ilir Daja.
“Ka vetëm një arsye pse largohem dhe është trajneri Ilir Daja. Erdha të luaj, por nuk mora minuta te Partizani. Në fillim nuk isha në formë pasi isha pa stërvitje, por pas 2 muajsh isha në ritëm.
Nuk ma dhanë shansin të luaj dhe dua të theksoj se nuk kam qenë i dëmtuar, sikurse është thënë shpesh. Unë isha në grumbullim me Maqedoninë e Veriut në tre ndeshje.
U ktheva nga grumbullimi te Partizani dhe nuk mora sërish minuta. Pas Europianit u ktheva dhe ishte e njëjta situatë dhe e pashë që sërish nuk do të luaja.
Gjithsesi unë i falënderoj të gjithë te Partizani, presidentin Gaz Demi, drejtorin Olsi Rama dhe tifozët, që nuk kishin mundësinë të ishin pranë nesh vjet në stadium, por na kanë mbështetur sërish”. /abcnews.al