“Fenomeni” i çiklizmit/ Tadej Pogacar triumfon në një tjetër “Klasike” të sportit

schedule14:07 - 7 Prill, 2025

schedule 14:07 - 7 Prill, 2025

E nisi si favorit, por fitorja nuk ishte e sigurt. Tadej Pogaçar, fenomeni i epokës në çiklizëm, gjithsesi ia doli në njërën nga Klasiket më të mëdha të këtij sporti, në Turin e Flandrës.

Ylli slloven mori revansh për humbjen e hidhur pak ditë më parë në Milano-San Remo, duke mundur pikërisht rivalin kryesor, holandezin Van der Pël, si dhe danezin Pedersen.

Tadej sulmoi tepër larg, 18 km nga finishi dhe përballoi lodhjen falë edhe skuadrës së tij të shkëlqyer.

Ai I përshkoi 268.9 kilometrat në 5 orë, 58 minuta e 41 sekonda, duke lënë kundërshtarët 1 minutë e një sekondë prapa.

Kampioni nga Sllovenia ka 17 fitore në garat klasike të çiklizmit, përfshi dy herë Turin e Flandrës, dy herë Liezh-Bastonjë-Liezh, katër herë Xhiron e Lombardisë, tri herë Rrugët e Bardha italiane apo garën e shigjetave të Valonës në Belgjikë.

Madhështinë e Pogaçarit e tregon qartë fitorja e tij e dyfishtë vitin e kaluar edhe në Xhiron e Italisë, edhe në Turin e Francës, diçka që e kanë bërë të legjendat si Edi Merks, Fausto Kopi, Bernar Ino apo Migel Indurain, ndërsa për herë të fundit ia kishte dalë I paharruari Marko Pantani.

Deri më sot, Pogaçar ka fituar 8 klasiket kryesore, që quhen edhe Monumentet e çiklizmit, duke qenë një sukses prapa Fausto Kopit, irlandezit Shon Kelli dhe italianit Xhirardenjo, që mban edhe vendin e tretë në podium.

Ende larg janë “kanibali” Edi Merks me 19 fitore dhe belgu De Vleming me 11.

Të dielën e ardhshme, kampioni i madh do të debutojë në garën më të famshme të çiklizmit në kalldrëm, në Paris-Rube, edicioni I 122-të.

“Është një garë krejtësisht e ndryshme, por unë do ta pranoj sfidën dhe do të përpiqem të jap më të mirën. Gara e Flandrës më përshtatet më shumë, por nuk I dihet. Rube është gjithashtu një garë shumë e vështirë dhe me formën që kam do ta provoj ta fitoj”.

Po flasim për klasiken më të shquar dhe më të madhe në historinë e këtij sporti.

Jo më kot ka një koincidencë, Paris-Rube lindi në 1896, vitin kur lindën edhe lojrat moderne olimpike si dhe “La Gazeta delo Sport” në Milano.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!