Fëmijët, interneti dhe sfida e madhe me talljen e cinizmin!

schedule14:30 - 1 Maj, 2022

schedule 14:30 - 1 Maj, 2022

Nga Agim Baci

“Të them diçka babi? – Ti nuk e kupton fare brezin tim!”. Kështu më tha disa kohë më parë im bir, Marini, katërmbëdhjetëvjeçar, teksa i flisja lidhur me efektin e keq që mund t’i shkaktojnë kujtdo prej nesh ndjekja e vazhdueshme e videove të pakontrolluara në internet, plot xhirime me provokimeve, ku shfaqet hapur dhuna, tallja dhe seksualizmi i shoqërisë së sotme.

Në bashkëbisedimin me tim bir kisha ndërmend t’i kërkoja që të vijonim të bënim diçka bashkërisht që lidhet me qëndrimin që duhet të kemi kundër bullizmit në shkollë e në lagjet tona, si dhe për rëndësinë e madhe që kanë shokët, miqtë, në jetën tonë. Por fjalët e tij më shtynë që të përpiqesha që më parë duhet të kuptoja se përse isha kaq larg kuptimit të asaj që i interesonte brezit të tim biri.

E teksa i kërkova që të më shpjegonte diçka se përse nuk e shihte mundësinë që bashkë me mua të xhironim disa filma të shkurtër për të shfaqur pasojat e bullizimit në marrëdhënien mes fëmijëve, apo nevojën që kanë fëmijët me aftësi ndryshe për t’u bërë pjesë e shoqërisë, ai më tha hapur frikën që kishte: “Nëse do shfaqem me këto filma apo me video të tilla, shokët e mi mund të tallen me mua! Sepse kështu bëjnë të gjithë moshatarët e mi – tallen me gjithçka, vënë në lojë këdo”.

Ndoshta në këtë pozitë si unë janë vënë shumë prindër kur kanë dashur të largojnë fëmijët nga videot që kanë në qendër të shfaqjes së tyre vënien në lojë të të tjerëve, pa kursyer as të lindurit me aftësi ndryshe.

Padyshim që nuk është aspak e lehtë në fakt t’i mbushësh sot mendjen një adoleshenti se bota zgjidhet duke besuar më shumë te vetja.

Ndoshta nuk e kanë pasur kaq të lehtë as prindërit tanë me ne vite më parë, kur edhe ne na dukej sikur dinim gjithçka, pa pasur nevojën e mençurisë dhe përvojës së tyre për të gjykuar botën. Madje ka shumë të rritur që ndoshta nuk e kanë gjetur kurrë në jetë besimin as te vetja e as te tjetri edhe pasi janë bërë prindër.

Dhe duhet ta imagjinojmë se sa vështirë e kanë fëmijët e sotëm ku përmes internetit në telefonat tanë që transmeton në çdo kohë gjendjen dhe fjalët tona, tallja nuk mbetet thjesht në një ambient të vogël, por bëhet publike, shpërndahet duke tronditur këdo, sidomos të vegjlit, që nuk arrijnë të kuptojnë fuqinë e gabimeve të çastit, sidomos të gabimeve që kanë të bëjnë me botën e tyre në rritje e plot enigma për mendjen dhe trupin e tyre. Ndoshta këtë fakt e kanë ndeshur me dhjetëra prindër, sidomos në këtë kohë teknologjie.

Dhe për dikë mundet që tallja të ketë krijuar një hendek të madh jo vetëm të fëmijëve me prindërit, por edhe të atyre vetë me ëndrrat e veta, me dëshirat për të bërë diçka të mirë.
Por a është e mundur t’i ndihmojmë fëmijët të mos enden me këtë cinizëm në kokë? Si mund të besojmë te vështrimi i tyre me dashuri për veten dhe tjetrin kur në mes është bota vrastare e talljes?

Teksa rreshtoja dhjetëra mendime pas asaj që im bir më tha për brezin e tij, i lashë mënjanë projektet e çastit dhe po përpiqesha t’i thosha diçka lidhur me fuqinë e madhe që ka dashuria në jetët tona, duke i rrëfyer se si gjatë historisë njerëzore, ai apo ajo që kanë arritur të pengojë talljen e një shoku apo shoqeje, apo të keqen ndaj dikujt, janë ndjerë gjithnjë më mirë se të tjerët, pasi shpirti i tyre ka notuar në qetësi.

Ashtu mbaj mend se iu drejtova, sikur ta kisha njëkohësisht afër dhe larg, duke i kërkuar që të mos jetojë kurrë me urrejtje dhe frikë dhe se edhe shokët duhet t’i kërkojë të tillë:

Biri im, çdo qytet në botë ka shpirt dhe shpirti i qytetit tonë je ti dhe shokët e tu, ata që janë më të vegjël se ty, ata më të rritur se ty, ata që jetojnë në lagje të ndryshme e që kanë ardhur nga shumë qytete e fshatra të këtij vendi ku kemi lindur.

E nëse ne të rriturit jemi treguar të pakujdesshëm që ta mbajmë këtë qytet me një shpirt të pastër, me njerëz që të adhurojnë të mirën, apo që kemi heshtur përpara së keqes së përditshme, atëherë mundet që këtë pakujdesi tonën, këtë gabim tonin, ta ndreqni ju. Sepse, biri im, nëse jeton në një qytet me zemra të errësuara dhe që humbin besimin se ia vlen të jetosh duke menduar dhe vepruar mirë, atëherë ti nuk do ndjehesh kurrë i qetë, e aq më pak i gëzuar që po jeton këtu.
Biri im, shpesh njerëzit justifikohen se nuk kanë faj përballë së keqes, sepse nuk kanë bërë ndonjë gjë të keqe.

Por në jetë ka gabime nga veprimet, aq sa ka edhe nga mosveprimet. Sepse shumë gjëra ndodhin kur ne mbyllim sytë ndaj talljes së një shoku apo një shoqeje, ndaj vjedhjeve, ndaj së keqes apo ndaj së ligës, duke mos e ditur se ajo është errësira jonë, që na mbulon të gjithëve e na pengon të lëvizim drejt një vendi me dritë.
Ne të gjithë kemi gabimet tona.

Dhe unë e di, unë nuk mund të jem shoku yt më i mirë e as i vëllait tënd më të madh, sepse ju jetoni në kohën tuaj, por e di që mund të jem gjithmonë njeriu që nuk do të lodhet kurrë duke kërkuar që të besoni se një qytet ka nevojë për njerëz që nuk pëlqejnë errësirën e zemrave të tyre. Le të mos ia hapim derën cinizmit që na pengon drejt dëshirës për të jetuar më mirë me veten dhe me të tjerët.

Le të jenë sado të shumtë ata që duken sot se argëtohen nga tallja. Bota ka pasur gjithmonë të tillë e do të ketë. Por të kërkoj që të mos e helmosh zemrën tënde me cinizëm, por të kalosh nga rruga e dashurisë.

E di, nuk është kurrë e lehtë të ecësh duke besuar në fitoren e së mirës, por, dije ama, se është një rrugë që ia vlen të ecësh edhe nëse rrëzohesh, sepse është një rrugë që nuk do të ta çojë kurrë shpirtin tënd në qorrsokak, por do të të japë vetëm mundësi.

Thjesht, biri im, dua të të them që nëse do të përpiqesh t’i zgjidhësh problemet në jetë me dashuri, do të kuptosh se zemra do të të mbrojë që ligësia të të mos bëhet streha jote./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!