95 milionë euro të paguara, që mund të mbulojnë shumë gjëra, por jo vuajtjet dhe fëmijërinë e vështirë. Antony është nga të shumtët në Brazil që e ka gjetur shpëtimin te futbolli. Sot po gëzon të mirat e këtij sporti dhe në Sky Sport ka rrëfyer gjithçka.
“Unë jam një djalosh i thjeshtë që vij nga favela, aty ku nuk kisha një dhomë timen. Flija në divan, nuk kisha as atlete për të luajtur futboll. Jetoja në mes të favelave dhe pak metra nga shtëpia ime ishte një qendër ku shpërndahej drogë.
Ndonjëherë kur shikoja ndeshje në televizion, shtëpia mbushej me aromën e kanabisit. Kishte edhe nga ato momente kur prindërit, vëllai dhe motrat përqafoheshin nga frika dhe luteshin për jetën. Më ka ndodhur edhe të më përmbytej shtëpia dhe duhej të nxirrja ujin në mesin e natës, por unë dhe familja ime nuk e humbëm kurrë buzëqeshjen pavarësisht vuajtjeve me të cilat u përballëm.
Por, plani im ishte i qartë; Unë doja të bëhesha futbollist. Nuk kam pasur asnjëherë një plan B, vëllai im më ka ndihmuar gjithnjë dhe më mësonte si të dribloja topin. Ai është ende me mua edhe sot. U transferova te Ajaxi në kohën e pandemisë, ishte e vështirë të largohesha nga djali im, i humba hapat e tij të parë.
Por, kjo është sakrifica që duhet të bëj për t’i dhuruar atij një të ardhme të mirë me të cilën ai mund të krenohet. Natën qaja kur mendoja për të, por tani është pranë meje dhe unë jam i lumtur”, rrëfen sulmuesi brazilian, ndërkohë që prek edhe transferimin tek United.
“Ishte i vështirë dhe unë isha në ankth, mezi prisja të bashkohesha me Manchester United. Kishte momente që nuk më zinte gjumi dhe nuk mund të mendoja për diçka tjetër. I jam mirënjohës klubit që këmbënguli për të më transferuar dhe për besimin”, përfundon Antony. / abcnews.al