Ish-futbollisti i Partizanit, Arbnor Fejzullahu, tashmë pjesë e Xamax në Zvicër, ka dhënë një intervistë për emisionin Fan Zone në Supersport.
Fejzullahu pranoi se mund të rikthehet në Shqipëri për ofertën e duhur, si dhe po planifikon të luajë edhe në kategorinë e dytë të Zvicrës, në kërkim të minutave.
SHQIPËRIA – “Më ka marrë malli për Shqipërinë. Kur je në Tiranë, nuk e kupton, po kur largohesh e kupton mungesën. Megjithatë për momentin jam më i lumtur në Zvicër”.
PARTIZANI – “E kam ndjekur vazhdimisht. Është një ekip i madh dhe këtë sezon nuk i ka ecur mirë, por besoj vitin e ardhshëm do jenë përsëri lart. Në sezonet e kaluara kemi pasur një ekip më të fortë se vjet, por Skënderbeu ishte shumë i fortë dhe nuk ia dolëm të fitonim titullin”.
E ARDHMJA – “Për momentin jam në bisedime me disa ekipe dhe në verë do gjej një ekip tjetër, jo në Superligë, por në një ekip më poshtë”.
SUPERIORE – “Nëse do vinte oferta e duhur, do kthehesha në Shqipëri. Kam pasur bisedime me disa ekipe, por për momentin asgjë konkrete”, u shpreh Fejzullahu./abcnews.al